Pas shkarkimit të trajnerit Graham Potter për mungesë rezultatesh, drejtuesit e Chelseat vendosin t’i besojnë drejtimin e skuadrës Frank Lampard. Ky i fundit e njeh mirë ambientin e “Bluve të Londrës” ku më parë ka shërbyer si lojtar, por edhe trajner.
Gjithsesi, Lampard është përzgjedhur sa për të dërguar në fund këtë sezon zhgënjyes për Chelsean teksa në sezonin pasardhës ekipi do të kalojë në duart e një tjetër “timonieri”.Drejtuesit po punojnë për të zgjedhur kandidatin ideal, edhe pse nga ana tjetër, duket se lojtarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Sipas asaj që raporton “The Telegraph”, lojtarët kërkojnë që në sezonin e ardhshëm të punojnë me një si Mauricio Pochetino. Argjentinasi e ka treguar veten nën drejtimin e Tottenham dhe ka eskperiencën e duhur për të rikthyer sërish Chelsean mes favoritëve në Angli.
Disa prej lojtarëve të Chelseat kanë komunikuar me shokët e tyre te Tottenham dhe kanë marrë miratimin se Pochetino është një trajner që mban një marrëdhënie shumë familjare me futbollistët e tij.
Ndaj, lojtarët e preferojnë argjentinasin pasi synojnë një ambient pozitiv në dhomat e zhveshjes teksa mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e klubit do ta marrin në konsideratë dëshirën e grupit dhe të firmosin me 51-vjeçarin.