Teuta nuk po kalon një moment të mirë, teksa eliminimi nga Kupa konfirmoi se ky sezon po shkon drejt dështimit. Megjithatë, kur mbeten edhe tetë javë kampionat, durrsakët kampionë në fuqi do të provojnë të gjitha shanset që kanë. Aktualisht skuadra ndodhet në zonën e ftohtë, pasi diferenca me rivalët e vendit të tetë që të çon në “play out” është vetëm një pikë më tepër.

Ndeshja e së dielës me Vllazninë, në orën 16:45 në stadiumin “Niko Dovana”, merr rëndësi të veçantë për “djemtë e detit”. Për këtë takim ka folur për “Panorama Sport” sulmuesi Lorenco Vila, i cili është i bindur se Teuta do të bëjë kthesën, duke mposhtur Vllazninë dhe ngjitur në klasifikim.


Lorenco, vini pas eliminimit nga Kupa. Si është situata në ekip në prag të ndeshjes me Vllazninë?

Dhamë gjithçka për t’u kualifikuar në Laç, por fati nuk ishte me ne. Shënuam shpejt dhe më pas e pësuam atëherë kur nuk e prisnim. Mendoj se pavarësisht eliminimit, gjendja e skuadrës është optimale dhe të gjithë djemtë janë të karikuar për të dhënë më të mirën. E dimë se çfarë presim nga kjo ndeshje, pikërisht tani në sprintin final, kur përgjegjësitë janë të mëdha. Objektivi është i qartë, vetëm fitore.


Luani me një rival që e keni mundur shpesh në vitet e fundit, mendoni se do ta keni sërish më të lehtë ndaj shkodranëve?

Jo, nuk mund të themi se jemi favoritë, pasi Vllaznia është një skuadër shumë e mirë. Sigurisht që kemi bërë ndeshje shumë të mirë ndaj Vllaznisë në vitet e fundit, por ndeshjet ndryshojnë shumë. Vllaznia do vlerësim maksimal, por siç e thashë më lartë, ne kemi synime të qarta, pasi jemi në një pozicion jo të mirë.

Vllaznia vjen në Durrës pas kualifikimit me Partizanin dhe 120 minutave. A mendoni se energjitë e shpenzuara të shkodranëve do të kthehen në favor për ju?

Nuk e mendoj fare këtë. Gjithsesi, ne kemi lojtarë me eksperiencë, që kanë fituar trofe dhe nuk ka vend për nënvlerësim. Pas kësaj situate, uria e lojtarëve do jetë më e madhe se në ndeshjen tjetër.


Barazimi mund të quhet i pranueshëm në këtë ndeshje?

E thashë edhe më lartë, ne do të hyjmë në fushë për tri pikët. Është një ndeshje e vështirë dhe ka shumë rëndësi për ne. Jeni një pikë më shumë se zona “play out” dhe nëntë më pak se vendi i katërt, që të jep shpresë për Europën.


Cilat mendoni se janë shanset e Teutës kur mbeten edhe tetë ndeshje për t’u luajtur deri në fund?

Në këtë moment ne nuk duhet të shikojmë fare renditjen, por të ulim kokën dhe të marrim rezultate maksimale. Nuk kemi luksin të merremi me ekipet e tjera, pasi atëherë do të gabonim vetë. Do të luajmë shanset tona deri në fund, rëndësi ka që të dalim nga kjo zonë dhe më pas të shikojmë për vendet më lart në renditje. Jemi në fazën më të rëndësishme të kampionatit dhe kemi 8 finale për të luajtur.

Është folur kohët e fundit për një pëlqim të Tiranës, keni një koment për këtë?

Nuk kam asnjë koment.