Antonio Konte i qeshur përqafon të gjithë lojtarët e tij, por në fund ndalet më së shumti me Romelu Lukakun, sulmuesin që e kërkoi me çdo kusht, i cili përveç golave tashmë po i dhuron edhe asiste për Lautaro Martinez, “Demin” tjetër të sulmit zikaltër.
Fitorja me Slavian e Pragës ishte jetike, për të pasur në dorë vetë fatin e kualifikimit, ndonëse për këtë ndeshje ai kërkon një stadium të zjarrtë: “Përpara se të vinte ndeshjen me Barcelonën duhej t’i jepnim një kuptim asaj, pra duke fituar kundër Slavias.
Por në të njëjtën kohë, në dy javë që na ndajnë, kemi dy duele të tjera shumë të rëndësishme në kampionat, si me SPAL-in dhe Romën, prandaj duke fituar edhe këto të dyja, shpresoj dhe besoj se do të arrijmë me moralin e duhur ndaj Barcelonës.
Kishim vetëm një rrugë të vetme për të mbërritur gjallë në duelin e fundit dhe ia arritëm qëllimit, fituam në Pragë. Kjo ishte ajo që na duhej, por me Barçën, edhe pse do të jetë më shumë se e vështirë, në fushë do të jemi 80 mijë, së bashku me tifozët tanë, kundër 11 të Barcelonës”.