HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELuftëtari do të përjashtohet nga Europa, UEFA pritet të dërgojë edhe gjobën

Luftëtari do të përjashtohet nga Europa, UEFA pritet të dërgojë edhe gjobën

Për herë të fundit kishte ndodhur në vitin 2016: atë sezon të paktën 2 ndeshje të Skënderbeut ishin “qartësisht të manipuluara” për përfitime financiare, sipas vendimit përfundimtar të UEFA-s, bazuar në analizën e sinjaleve të marra nga tregu i basteve.

Më pas, një hetim gjigant çoi në përjashtimin e Skënderbeut për një vit, në pritje të gjyqit final, që erdhi dhe ishte fatal, sepse rezultoi në 10 vite përjashtim dhe 1 milion euro gjobë.

Në fund të vitit do të zhvillohet edhe raundi final i betejës dhe nëse UEFA e fiton qoftë edhe pjesërisht, atëherë futbolli ndryshon përgjithmonë, sepse do të plasin dënimet pa qenë nevoja për përgjime, dëshmi e të penduar.

Ndërkaq, ajo që ndodhi dje në Elbasan na ktheu 2 vite pas. Ishte një turp i madh për të gjithë, ndeshja Luftëtari-Ventspils ishte qartësisht e trukuar dhe kompania që monitoron tregun botëror të basteve për llogari të UEFA-s, Sportradar, ka marrë sinjalizime pa fund nga kompanitë e basteve anembanë Europës.

Nuk duhej ndonjë sy specialisti për të kuptuar skandalin e ndeshjes së djeshme dhe goli në minutën e 93-të është prova më e qartë që do të fundosë Luftëtarin.

Duke pasur parasysh precedentin Skënderbeu, që u përjashtua për një vit në mënyrë provizore, në pritje të hetimit, tashmë edhe Luftëtari është “de facto” jashtë Europe, sezoni i ardhshëm do të luhet “për qejf”, edhe sikur të kapë vendet e kreut.

Gjithçka tashmë është shumë më e shpejtë se në të shkuarën, nuk nevojitet një hetim disa-vjeçar, por vetëm pak javë analiza të ekspertëve të Sportradar dhe UEFA-s, ndërkohë që çështja nuk do të mund të apelohet më as në CAS.

Precedenti Skënderbeu ka vendosur një standard të ri në futboll dhe Luftëtari e ka marrë parasysh këtë gjë, e di shumë mirë që u dogj.

Nëse në fund të vitit edhe Skënderbeu nuk do ta fitojë betejën kundër UEFA-s në CAS, dënimi për Luftëtarin nuk do të ndalet te një vit, sepse inspektorët e UEFA-s do të kërkojnë të paktën 5 vite përjashtim nga kupat e Europës dhe një gjobë prej të paktën 250.000 eurosh, pikërisht paratë që i takojnë Luftëtarit për pjesëmarrjen e parë të turpshme në kupat e Europës.

Ky dënim do të godasë rëndë arkat e Luftëtarit, por me sa duket i kanë marrë parasysh të gjitha, sepse edhe Federata Shqiptare e Futbollit i ka paralajmëruar klubet pjesëmarrëse në kupat e Europës:

përlyerja çon automatikisht te përjashtimi dhe humbja e tw ardhurave nga UEFA, që tani e tutje nuk do të tolerojë askënd, aq më shumë që priste sjellje korrekte nga klubet tona, pas furtunës mbi Skënderbeun./sport-ekspres/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments