Egnatia i jep sot fund rrugëtimit në Kate gorinë e Parë. Misioni u arrit me sukses, megjithatë Gugash Magani e do edhe një titull para ngjitjes. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri konfirmon se nuk do të ketë mungesa dhe në “Elbasan Arena” do të zbresin vetëm me një qëllim: të tregojnë se janë më të mirët. Nuk ngurron që të thurë elozhe për Dinamon, ndërsa zbulon shumë rreth projektit të sezonit 2021- 2022.

Rrugëtimit në Kategorinë e Parë i erdhi fundi. Si ishte ky sezon për Egnatian?

Më shumë se i suksesshëm. Jo vetëm që u arrit objektivi kryesor, por se gjithçka funksionoi në sinkron. Megjithatë, lodhje ka pasur. Ka qenë sezon i gjatë, por fundi është ai që na çliroi.

Nesër (sot) luani në “Elbasan Arena” me Dinamon. Çfarë vlere ka kjo finale për Egnatian?

Ka vlerë morale, por edhe materiale. Luajmë për prestigj dhe pas një sezoni të gjatë, një titull të përmbush.

Finalet kurrë nuk kanë favoritë e as garanci, keni menduar për penalltitë?

Jemi përgatitur gjatë gjithë javës, në fund të seancave kemi provuar edhe penalltitë. Garanci nuk ka, por ne do të futemi në fushë me bindjen për ta fituar.

Sa e njihni Dinamon?

E njoh pak, sepse ka qenë pjesëmarrëse në Grupin e Veriut, por e kam ndjekur me vëmendje në dy ndeshjet e fundit dhe besoj se mora informacionin e mjaftueshëm. Kam krijuar idetë e mia që nga vendosja në fushë e me radhë. Dinamo ka traditën e saj, që nuk mposhtet lehtë dhe më vjen mirë që po ringrihen aty ku u takon. Ata i duhen Superiores, ashtu si edhe ne.

Do të jetë Magani pjesë e projektit të elitës?

Po, do të jem pjesë e projektit. Jam i kënaqur që isha dhe do jem pjesë e këtij plani afatgjatë. Kur punon me drejtues korrektë, suksesi është gjithnjë i garantuar.

Sa larg mund të shkojë ky ekip në Superiore dhe sa e vështirë do të jetë përshtatja pas mungesës 16- vjeçare?

Është herët për të folur për këto detaje. Të luajmë finalen me Dinamon e më pas do mendohet për vazhdimësinë. Rëndësi ka rikthimi në elitë pas mungesës disavjeçare. Në Rrogozhinë e duan futbollin dhe drejtuesit kanë krijuar baza të forta që të kemi jetëgjatësi në elitë. Terrenet sportive janë përmirësuar dhe po ndërtohet stadiumi modern. Merkatoja është në lëvizje çdo ditë, po jo diçka konkrete. Ka kohë për zyrtarizime. Vetëm se Egnatia nuk do jetë kalimtare në Kategorinë Superiore.