Romelu Lukaku po numëron ditët që e ndajnë nga kthimi i tij te Çelsi. Në Itali tashmë e bëjnë fakt të kryer largimin e sulmuesit nga zikaltërit, për t’u kthyer në klubin të cilin e kishte lënë 8 vite më parë.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, lojtari i ka komunikuar sot trajnerit Simone Inzagi dhe shokëve të skuadrës se ka vendosur të pranojë ofertën e bluve. Ai u ka komunikuar se kishte dashur që të qëndronte te zikaltërit, për të përsëritur sezonin e kaluar fantastik, por në këtë mënyrë po ndihmonte ndoshta më shumë klubin i cili ka vështirësi të mëdha financiare.
Interi ka caktuar shifrën 130 milionë euro si atë për të cilën do të pranojë transferimin e sulmuesit dhe tani pret vetëm formalizimin e ofertës nga Çelsi që ka treguar gatishmërinë për të kryer këtë marrëveshje.
Një akord i cili i sheh të gjithë palët si fitimtarë, pasi edhe Lukaku sigurisht që nuk do të vuajë në radhët e fituesve në fuqi të Ligës së Kampioneve, ku e pret një rrogë prej 12 milionë eurosh në vit plus bonuse.