Vllaznia do presë në javën e 35-të ekipin e Egnatias në “Loro Boriçi”. Në duelin që do luhet ditën e shtunë në orën 17:00, do jetë i fundit për këtë edicion në Shkodër.
Mirel Josa do debutojë në stolin e shkodranëve me objektivin për të ringjallur shpresat për Europën. E ndërsa në krahun tjetër rrogozhinasit që kanë siguruar vendin e 8-të dhe do luajnë sfidën e play off për qëndrimin në Superligë.
Por skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani ka qenë një “mace e zezë” për kuqeblutë këtë sezon. Shkodranët nuk kanë marrë asnjë fitore përballë rrogozhinasve. Ndeshja e fazës së parë do mbyllej në shifrat 1-1 në Rrogozhinë mes dy skuadrave. I njëjti rezultat do përsëritej edhe në Shkodër në takimin e fazës së dytë, ku gjithçka mbaronte me rezultatin 1-1 në “Loro Boriçi”.
Goditja do ishte në fazën e tretë ku Egnatia mundi me rezultatin 3-0 në fushën e saj, skuadrën kuqeblu. Kjo është edhe humbja më e thellë këtë sezon nga ana e shkodranëve. Asnjë fitore dhe tashmë lind mundësia për “hakmarrje”, por edhe për objektivin Europë ku një fitore kundër rrogozhinasve është shumë thelbësore.
Për Egantian, takimi më shumë do shërbejë për të mbajtur lojtarët në tonus, pasi objektivat për këtë edicion në kampionat janë përmbyllur. Pavarësisht se do duhet edhe ndeshja e play off kundër skuadrës që do vijë nga Kategoria e Parë për të siguruar totalisht mbijetesën.
Endri ÇINARI