Renato Malota ishte ndër më të dalluarit në ndeshjen mes Kukësit dhe Vllaznisë, teksa në përfundim të ndeshjes, u shpreh se ishte forca reale e skuadrës shkodrane.
Ai u ndal edhe te ndeshja e ardhshme ndaj Partizanit, ku shtoi se është një ndeshje e veçantë pasi kujtojmë që Partizani mundej nga Kamza dhe zhvlerësonte fitoren e Vllaznisë në Korçë, duke e hedhur nga kategoria.
“Të vish nga kategoria e parë në Superiore normalisht është vështirësi shumë e madhe por ne po bëjmë punën tonë, po punojmë të qetë që të japim maksimumin që të sigurojmë qëndrimin në Superiore që është e rëndësishme për momentin.
Prova e vërtetë ishte se përballë kishim një nga ekipet më të forta, një nga ekipet pretendent për titull dhe deri diku e treguam që jemi aty, po bëjmë mjaft mirë, por jemi me këmbë në tokë.
Ky është viti i tretë, nuk kemi pasur problem në aspektin financiar, vonesa ka kudo, por mendoj se do të zgjidhet çdo gjë.
Dua të jemi me këmbë në tokë, objektivi i jonë është të sigurojmë sa më shpejt qëndrimin në Superiore pastaj t’ia lemë kohës, mendoj se grupin e kemi të mirë, por nuk është se duhet të themi jemi për kampion e kupat e Europës, duhet të jemi me këmbë në tokë.
Po ta marrësh edhe ndeshjen, humbjen e vetme kundër Tiranës ishte e padrejtë. Po të na kishin dhënë penallti do të flisnim ndryshe, por gjithsesi mendoj se po bëjmë mirë deri në këtë moment.
Mendoj që në aspektin personal me Partizanin do të jetë e veçantë, edhe për qytetin e Shkodrës edhe duke parë rrethanat dhe atë që ramë nga kategoria. Por gjithçka t’ia lëmë fushës së lojës”, tha Malota. /VipSport/