Miqësorja e djeshme e luajtur ndaj Veleçikut i ka shërbyer jo pak ekipit të Vllaznisë. Ardhja e disa lojtarëve me vonesë nga merkatoja, kërkon më shumë kohë në dispozicion për harmonizimin e tyre me pjesën tjetër të ekipit dhe miqësore të tilla vlejnë shumë.

Këtë gjë ka deklaruar në një prononcim për mediat mbrojtësi i kësaj skuadre Renato Malota që është shprehur: “Kjo ndeshje ia vlejti sepse kemi në skuadër lojtarë që kanë ardhur ditët e fundit dhe atyre u duhet edhe pak kohë për t’u integruar siç duhet me ekipin.

Unë mendoj se tani kemi të bëjmë me një Vllazni më të fortë por këtë duhet ta demostrojmë në fushë. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe të bëjmë më të mirën e mundshme. Disa gjëra ndoshta nuk janë në dorën tonë, por në fushë duhet të tregojmë vlerat që kemi”.

I pyetur nëse Vllaznia i ka harruar problemet që krijoi ndeshja me Tiranën, Malota përgjigjet: “Ne duhet të ecim përpara dhe jo të kthejmë kokën pas. Ajo i përket një ndeshje të kaluar dhe tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e rradhës ku do të synojmë sërish të marrim maksimumin”.

Pas kësaj jave pushimi, kuqeblutë do rikthehen në fushë fundjavën e ardhshme për të luajtur ndaj Teutës në Durrës. Duke folur në lidhje me këtë takim, mbrojtësi Malota shprehet: “Kjo është një ndeshje shumë e vështirë pasi dihen objektivat e Teutës, por ne do të shkojmë për të dhënë më të mirën në fushë dhe për të marrë pikë në Durrës pasi ekipi është në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe prandaj kam shumë besim se nuk do të dalim pa pikë nga kjo ndeshje”.
Gjon GJEKA