Pol Pogba është i pashitshëm. Kjo është përgjigja që do të marrë kushdo që troket në derën e Mançester Junajtid për të kërkuar mesfushorin e Francës. Edhe pse Pogba nuk e mbylli duke shkëlqyer sezonin, te “djajtë e kuq” janë të bindur se Solskjaer do të arrijë të kthejë futbollistin ne nivelet më të larta ndaj kanë vendosur që të mos mendojnë për financat por ta mbajnë atë si pjesë të klubit.

Klubi i parë që ka kuptuar më mirë këtë qëndrim të “djajve të kuq”’ është Real Madrid. Spanjollët kanë kërkuar informacion për çmimin fillestar të hapjes së negociatave për transferimin e mesfushorit por kanë mbetur të zhgënjyer nga përgjigja.

Sipas “Marca”, anglezët kanë bërë të qartë se nuk mendojnë të shesin lojtarin, ndaj nuk kanë pse të japin një çmim për një futbollist që nuk është në treg.

Me të njëjtën përgjigje do të përballen edhe klube të tjera si Juventus e PSG që kanë shfaqur interes për futbollistin pasi dëshira e Junajtid është që ta mbajë.

Megjithatë, nëse Pogba do të kërkonte vetë largimin, atëherë do të ndryshonin gjërat, pasi në klub nuk duan të mbajnë një futbollist të pakënaqur, të bindur se ashtu nuk do të jetë në maksimumin e tij. /vipsport/