Në një nga ndeshjet më dramatike të sezonit, Manchester City ka triumfuar si mysafir ndaj Fulhamit me rezultatin spektakolar 4-5, në një duel që solli gjithçka: gola të shumtë, raste spektakolare, VAR, traversa dhe tension deri në minutën e fundit.
Manchester City e nisi fuqishëm takimin. Në minutën e 17-të, kampionët në fuqi kaluan në epërsi me golin e Erling Haaland, përpara se të dyfishonin rezultatin në minutën e 37-të kur Tijjani Reijnders shënoi një gol të mrekullueshëm pas asistit të Haaland.
Në minutën e 44-të, Phil Foden realizoi një supergol nga distanca, duke e çuar rezultatin në 0-3. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej qetë, Fulham u rikthye në lojë me një gol të Emile Smith Rowe në kohën shtesë (45+2’) për 1-3, duke ngjallur shpresat e vendasve për pjesën e dytë.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi sërish Man Cityt. Vetëm tre minuta pas rifillimit, Phil Foden shënoi golin e tij të dytë dhe të katërtin për Cityn, duke e thelluar epërsinë në 1-4. Më pas, Jeremy Doku realizoi me një devijim për 1-5 (54’), duke krijuar përshtypjen se ndeshja ishte mbyllur.
Por Fulham nuk u dorëzua. Alex Iwobi shkurtoi rezultatin në 2-5 (57’), dhe Samuel Chukwueze shënoi dy gola të shpejtë (72’ dhe 78’) për 3-5 dhe 4-5, të dyja pas depërtimeve në zonë dhe reagimeve të shpejta pas topave të kthyer. Në minutën e 70-të, Erling Haaland goditi shtyllën me një goditje me kokë, duke humbur mundësinë për ta mbyllur ndeshjen më herët.
Fulham kërkoi penallti në minutën e 84-të, por gjyqtari e vazhdoi lojën. Në fund, Man City u detyrua të mbrohej me gjithë forcat, duke arritur ta ruaj rezultatin.Me këtë fitore, City ngjitet në vendin e dytë me 28 pikë, ndërsa Fulham mbetet i 15-ti me 17 pikë. /Telegrafi/















