Ta dëgjosh nga goja e tij duket shumë e çuditshme. Ta dëgjosh nga goja e simbolit të Argjentinës, atij që në vendin e tij konsiderohet Zot, është vërtet e pabesueshme. Por objektiviteti ndonjëherë del mbi pasionin.
Diego Armando Maradona “bekon” Brazilin si ekipin që do të shpallet kampion bote. “Il Pibe de Oro”, i ftuar në “De la Mano del Diez” në kanalin venezuelian “Telesur”, nuk është rezervuar aspak për lojën e Brazilit:
“Brazil-Meksikë më pëlqeu, ishte një ndeshje e bukur. Pashë një Seleçao shumë solid, në gjendje të fitojë Kupën e Botës. Më pëlqen shumë Tite si trajner, sepse di ta vendosë mirë skuadrën në fushë.
Sulmuesit brazilianë dhe ata 4 që janë pas tyre, janë forca e vërtetë: dinë ta luajnë topin, të vertikalizojnë, të sulmojnë të gjithë bashkë”.
Komplimente rivalëve historikë nga Maradona, i cili nga ana tjetër nuk i ka kursyer kritikat e forta për Sampaolin dhe Argjentinën, pas katastrofës së Rusisë. / Vipsport/