Marash Kumbulla është padyshim e ardhmja e mbrojtjes së Shqipërisë. Mbrojtësi i talentuar aktivizohet me Veronën në Serinë A italiane dhe po shkëlqen pas çdo jave duke ngjallur interes te shumë klube në Itali dhe jo vetëm.

Vlera e Kumbullës ka ndryshuar ndjeshëm edhe në “transfermarkt”. Që nga muaji shtator e deri më tani, Kumbulla është rritur dukshëm dhe nga 200 mijë euro që kushtonte para 3 muajsh, vlera e tij së fundmi ka arritur në 10 milionë euro. “Transfermarkt” ka publikuar dje përditësimet e reja me vlerën e mbrojtësit kuqezi.

Ditët e fundit, drejtuesit e Veronës kanë pasur takime me ato të Interit dhe në tavolinë po diskutohen shifra të konsiderueshme për mbrojtësin kuqezi. Së bashku me Rrahmanin, Kumbulla e kishte kthyer Veronën në skuadrën me mbrojtjen më të mirë. /VipSport/