Paraqitjet e portierit shkodran Marco Molla në kombëtaren U17 të Italisë kanë bërë bujë edhe në mediat italiane. Ai ka ndihmuar këtë skuadër që të kualifikohet për në turin e dytë të Kupës së Botës që po zhvillohet në Brazil.
Interesant është një fakt: Në dy ndeshjet e para kur ai ishte në portë, Italia U17 arriti dy fitore duke siguruar kështu kualifikimin. Në ndeshjen e tretë, të fundit në grup, meqenëse nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, stafi teknik i kombëtares axurre vendosi të aktivizonte në portë portierin e tretë dhe…Italia humbi 1-2 ndaj Paraguajit.
Me këtë humbje, kombëtarja italiane u rendit e dyta në grup, por duket se gjithçka ka qenë edhe një manovër e drejtuesve të saj për të shmangur nga rruga e mëtejshme ekipin e Hollandës, me të cilin u patën ndeshur në muajin maj në finalen e kampionatit Europian dhe tulipanët i patën mundur 3-0.
Por, nëse është shmangur Hollanda, Italia mund të ndeshet në çerekfinale me një tjetër ekip të fortë: Brazilin vendas. Ky i fundit ka fituar në orët e para të mëngjesit të sotëm 3-2 ndaj Kilit dhe është kualifikuar duke pritur tashmë rivalin e tij për në turin tjetër, rival që do të dalë nga ballafaqimi i mbrëmjes së sotme në mes Italisë dhe Ekuadorit.
Kjo sfidë do të luhet në orën 20.30 dhe në formacionin e Italisë pritet të jetë sërish Marco Molla. Ai padyshim që është një garanci e madhe për këtë skuadër dhe me të mes katërkëndëshit, 17 vjeçarët italianë do synojnë fitoren dhe kualifikimin për në çerekfinale, aty ku i pret Brazili dhe Molla do të ketë mundësinë të shfaqë vlerat e tij edhe para atyre që konsiderojnë jo më kot lojtarët më të talentuar të botës.
© shkodrasport.com