Teuta pret nesër Kukësin në kuadër të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë. Trajneri Edi Martini para mediave, thekson se i do të dyja kompeticionet si Kupën, ashtu edhe kampionatin. Megjithatë, nëse do të duhej të zgjidhte atëherë do të zgjidhte kampionatin. Ndër të tjera, shkodrani u shpreh se ekipi i tij është superior ndaj Kukësit.

“Në ndeshjen me Kastriotin kemi nxjerrë mësimet e duhura. Ishte një ndeshje që duhet ta kishim fituar me patjetër, ndoshta e ‘fituam’ pak para kohe. Kjo ndeshje duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet e bëra.

Kukësi është ekip mjaft i mirë, por po të na krahasosh ne me ata, jemi më lart. Në dy ndeshje me ta kemi barazuar këtë sezon dhe kemi fituar një herë në fushën e tyre. Kemi qenë superiorë dhe na kanë barazuar në fund.

Skuadra është në rregull, djemtë janë mirë, përveç Grudës që nuk do jetë pjesë e ekipit, të tjerët janë gati. Këtë sezon kemi objektiv Kupën dhe kampionatin. Deri tani jemi në rrugën e duhur pavarësisht barazimit të fundit.

Edhe në Kupë kemi ecuri të mirë, duam gjysmëfinalen sepse është në objektivat tona. Kemi bërë një grup që të përballojë edhe Kupën, edhe kampionatin, kështu që nuk i ndaj Kupën apo kampionatin, megjithëse po të lija njërën për tjetrën do doja kampionatin.

Jemi ekip që bëjmë lojën tonë dhe nuk presim asnjë veprim tjetër jashtë fushës. Ndeshjeve po i vjen fundi, ka nisur numërimi mbrapsht dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Partizani është rival direkt, por më parë kemi ndeshjen e nesërme”, u shpreh Martini. /VipSport/