Ish- futbollisti i Dinamos dhe ish- drejtori i Vllaznisë Matko Djarmati është prononcuar për mediat në prag të përballjes në mes këtyre dy skuadrave. Ai i ka vlerësuar të dyja ato si pretedente për titullin sëbashku me Egnatin, por ndërkohë ka folur edhe për sfidën e nesërme në “Loro Boriçi”.
“Deri tani besoj se Vllaznia është në rrugën e duhur dhe absolutisht është një nga skuadrat që pretendojnë titullin, së bashku me Egnatian dhe Dinamon. Megjithatë, nëse nuk ndryshojnë guximin dhe mentalitetin për ndeshjet jashtë “Loro Boriçit”, për mendimin tim, do të jetë shumë e vështirë që të dalin kampionë.
Nga ana tjetër, realisht e prisja Dinamon shumë më lart pas ndeshjeve në Europë. Mendova se do të ishin kandidati kryesor për fitimin e kampionatit, por kanë humbur shumë për shkak të shitjes së Zabrgjës dhe Itodos dhe nuk kanë sjellë lojtarë që të zëvendësojnë këta dy lojtarë të rëndësishëm me të njëjtin nivel cilësie. Kanë sjellë disa lojtarë me eksperiencë, por deri tani këta lojtarë nuk kanë treguar atë që pritej nga klubi. Dinamo ka 3–4 emra në stol që mund të luajnë në çdo ekip të Superiores dhe janë të gatshëm për formacion, por deri tani performanca e tyre nuk ka qenë ajo e pritshme.
Sa i takon përballjes së nesërme, për momentin ku jemi, këto ndeshje nuk do të vendosin kampionatin, pasi ka edhe 25 ndeshje të tjera. Megjithatë, një rezultat i mirë mund të ndryshojë krejtësisht fatin e kampionatit dhe përbën një shtysë të madhe kur fiton kundër rivalit direkt për titullin”- është shprehur Djarmati.
Po për cilën skuadër bën tifo ai dhe do dëshironte që në fund të shpallej kampion? Matko tregohet diplomat kur thotë: “Kam kaluar tre vjet si lojtar i Dinamos, dhe respekti nga tifozët e Dinamos është i pranishëm edhe sot. Kur vij dhe shoh një ndeshje të Dinamos ose edhe në rrugët e lagjes, të gjithë më njohin si ish-lojtar i Dinamos, jo si ish-lojtar i Skënderbeut, Besës, Kastriotit apo Tërbunit.
Nga ana tjetër, me Vllazninë kam fituar dy trofetë e fundit, me shumë sakrifica, pas 20 vitesh pa asnjë trofe në Shkodër, dhe për këtë nuk mund të jap përgjigje. Më mirë do ta mbaj për vete. Këtë ndeshje do ta ndjekim në maj, me shumë emocion e gëzim”.


