Vllaznia po shkëlqen në këtë sezon futbollistik dhe një meritë të veçantë ka Matko Djarmati. Ish-futbollisti i Superiores, tashmë në rolin e drejtorit sportiv te shkodranët ka dhënë një intervistë për Sport Time. 3
Ai u shpreh i lumtur që ka marrë këtë detyrë te Vllaznia ku sipas tij, kjo mundësi ndodh vetëm një herë në jetë. Djarmati preku pak edhe çështjen e dënimit nga ana e Disiplinës për shkak të pjesëmarrjes masive të tifozëve në ndeshjen ndaj Partizanit.
“Peripecitë e të qenit drejtor sportiv? Patjetër nuk ishte e lehtë sidomos kur ke 2 fëmijë të vegjël. Kur isha në Tiranë, e kam ndihmuar shumë. Duam apo jo, jemi në shërbim të fëmijëve. Sot, e ka shumë të vështirë bashkëshortja ime duke qenë se unë jetoj në Shkodër.
Karriera? Shumë e vështirë të vish në një pozicion të tillë siç jam unë, në një klub si Vllaznia. S’e krahasoj dot emrin tim me klubin që punoj. Jam shumë i vogël unë për të. Është një shans që të jepet një herë në jetë. Kisha një punë pa presion në Tiranë. Kam shkuar në një punë që do të jesh gati për çdo gjë. Një herë në jetë të ofrohet diçka e tillë. Unë kam ardhur me qef dhe deri tani na ka shkuar rruga mbarë.
Marrëdhënia në klub? Alban Xhaferi më ka marrë si një drejtor sportiv bashkë me kryetaren. Për çdo vendim të tij, ai do të pyesë dhe pjesën tjetër sepse deri më tani bashkia është pronare klubi. Vërtetë s’më ka ardhur një herë të më thotë se do të marrë këtë futbollist. Për lojtarët e mirë vendosim unë, trajneri dhe stafi teknik. Kështu është hierarkia.
Gjoba nga Disiplina? S’është pyetje për mua. Por, çdo kush nga Partizani mund të kishte shkuar që në minutën e parë nëse kishin pretendime. Unë jam dakort që ishin më shumë veta se lejohen. Më vjen keq që s’e kemi publikun, por duhet të respektojmë masat që janë. Jetojmë në një situatë shumë shumë të vështirë.
Unë mendoj që nuk është sportive të merresh me faktorë jashtë fushe. Mua më intereson çfarë tregoj unë në fushë. Partizani ka një formacion të parë që duhet t’i përgjigje lojës sonë. Për këtë duhet të kishte folur Olsi Rama, jo për tifozët”, tha ai./newsport/