Kilian Mbape feston në ditën e sotme 21-vjetorin. Megjithatë, CV-ja e tij është mjaft e pasuruar dhe duket sikur ka shumë më shumë vite në kurriz. Deri më tani, sulmuesi ia ka dalë të fitojë Kupën e Botës duke qenë në rolin e protagonistit me Francën.

Ka fituar tre herë titullin në Francë me Monakon dhe PSG, ndërsa nuk mungojnë çmimet individuale si dhe një mori me gola të realizuar. Në moshën 21-vjeçare futbollisti i PSG ia ka dalë të shënojë 103 gola.

Nëse shikon yje të së tashmes apo së kaluarës në të njëjtën moshë, bie në sy sa impresionues është francezi. Në të njëjtën moshë me Mbape, Kristiano Ronaldo kishte shënuar vetëm 27 gola, ndërsa Mesi ishte ndalur në kuotën e 42 golave me Barcelonën.

Mbape i lë pas dy yjet e futbollit edhe me golat në Kombëtare. Deri më tani, futbollisti i PSG ka shënuar 13 gola në 33 prezenca me “gjelat”, ndërsa Mesi me Ronaldon kishin shënuar në të njëjtën moshë vetëm nëntë.

Por, lista e lojtarëve qe Mbape i lë pas në këtë klasifikim shtohet edhe me emra si Ibrahimoviç, Nejmar apo Ouen. Mbape është inferior vetëm ndaj një futbollisti dhe ai është Ronaldo, “Fenomeni”. Braziliani në moshën 21-vjeçare kishte realizuar 112 gola ndaj 103 të Mbape.

Megjithatë, edhe pse statistikat nuk janë gjithçka, e ardhmja dhe e tashmja e futbollit duket e sigurt në këmbët e Mbape./vipsport/