Mbrojtësi 18 vjeçar shkodran Argent Delaj po bën paraqitje shumë të mira tek Akademia Dinamo dhe si rrjedhojë është gjithnjë në vëmendjen e stafit të ekipit të parë dhe nuk përjashtohet mundësia që në ndeshjet e ardhshme të grumbullohet nga trajneri Daja për ndeshjet zyrtare.
Delaj sezonin e kaluar ka qenë pjesë e ekipit Vllaznia U19, por këtë sezon ka nisur studimet e larta në kryeqytet dhe prandaj është detyruar të largohet nga Shkodra. Si rrjedhojë ka vendosur t’i bashkohet ekipit Dinamo U19.
Me të, jo vetëm që po luan rregullisht, por është shndërrruar njëkohësisht në lider të prapavijës së bluve. I gjatë 1.90 metra dhe me peshë 84 kg, ai është një “bishë” e vërtetë në fushën e lojës duke qenë i pakalueshëm nga kundërshtarët.
Kemi të bëjmë me një futbollist i cili premton shumë për të ardhmen dhe jo më kot stafi i ekipit të parë e ka vazhdimisht në vëmendje. Për më tepër që blutë po shfaqin probleme në mbrojtje dhe prandaj Argent Delaj mund të jetë një element që mund t’u bëjë punë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


