Friday, March 27, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMbrojtja më e mirë, Vllaznia me 6 humbje pas 29 javësh

Mbrojtja më e mirë, Vllaznia me 6 humbje pas 29 javësh

Shkruar nga Endri ÇINARI

Mbrojtja e Vllaznisë vazhdon të jetë një ndër pikat më të forta të skuadrës shkodrane në këtë sezon, duke e shndërruar ekipin kuqeblu në një nga më të qëndrueshmit në kampionat. Me vetëm 21 gola të pësuar në 29 javë, shkodranët mbajnë vendin e parë për soliditetin defensiv, duke lënë pas rivalë të drejtpërdrejtë si Elbasani dhe Egnatia, që kanë pësuar nga 22 gola secila.

Kjo statistikë flet qartë për organizimin dhe disiplinën taktike të skuadrës, e cila ka ditur të menaxhojë me kujdes çdo ndeshje. Reparti i mbrojtjes ka qenë shpeshherë vendimtar, duke i dhënë ekipit stabilitet dhe siguri edhe në momentet më të vështira të sezonit. Në një kampionat ku diferencat janë të vogla, një prapavijë e fortë është shpesh çelësi i suksesit.

Në totalin e 29 javëve, 9 herë kampionët e vendit kanë regjistruar vetëm 6 humbje, një tjetër tregues i qëndrueshmërisë së tyre. Interesant është fakti se shumica e këtyre disfatave kanë ardhur me rezultate minimale, duke treguar se Vllaznia rrallëherë është dominuar nga kundërshtarët.

Humbja më e thellë mbetet ajo ndaj Dinamos, me shifrat 3-1, një ndeshje që përbën një përjashtim në rrugëtimin e skuadrës këtë sezon. Në pjesën tjetër të kampionatit, diferencat kanë qenë të vogla dhe shpesh të vendosura nga episode të izoluara.

Skuadra e drejtuar nga Martini është mposhtur dy herë minimalisht 1-0 nga Flamurtari, ndërsa ka humbur 0-1 ndaj Teutës dhe 1-0 kundër Elbasanit. Po ashtu, një tjetër disfatë ka ardhur në transfertë ndaj Bylis, me rezultatin 2-1.


Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Vllaznia është një skuadër e vështirë për t’u mundur dhe mbi të gjitha një ekip që ndërton suksesin nga mbrojtja. Nëse kjo vijë vijon me të njëjtin ritëm, kuqeblutë kanë çdo arsye të besojnë se mund të jenë protagonistë deri në fund të sezonit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments