Duhej të ishte stërvitja e fundit e vitit 2020 por ka rezultuar një moment i pafat për Klaus Gjasulën. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka pësuar një dëmtim të rëndë që do ta lërë për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës, pikërisht në momentin kur ai dukej se kishte fituar përsëri formën më të mirë.

Hamburgu kishte planifikuar në datën 31 dhjetor një stërvitje të lehtë për të mbajtur në formë lojtarët, por gjatë kësaj seance, Gjasula ka mbetur i dëmtuar dhe ka lënë seancëb në mes. Fillimisht mendohej se ishte diçka e lehtë, por kontrollet që janë kryer sot kanë treguar se futbollisti i përfaqësueses shqiptare ka pësuar një dëmtim shumë më të rëndë.

Gjasula ka këputur një ligament në gjurin e majtë dhe sipas informacioneve nga klubi i Hamburgut, do të jetë i detyruar që të qëndrojë për të paktën 6 javë larg fushave të lojës. “Sigurisht që ai kishte hapësira të mëdha përmirësimi në lojën e tij, por unë isha i kënaqur me zhvillimin që kishte”, tha trajneri Thioune sot, duke komentuar dëmtimin e Gjasulës. “Ky është një moment i vështirë për të”, theksoi ai.

Tashmë pritet që Gjasula të kthehet në stërvitje rregullisht në gjysmën e shkurtit dhe të fillojë të japë kontributin e tij për klubin e Hamburgut. Ndërkaq, trajneri Edi Reja shpreson që në mars ai të jetë përsëri në formë, për të përballuar ndeshjet e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit 2022. /vipsport/