Nga Endri ÇINARI

Të hënën ekipi i Vllaznisë ka nisur përgatitjet në Maribor të Sllovenisë në kuadër të fazës verore. Shkodranët do qëndrojnë në shtetin ballkanik për një periudhë 10-12 ditore, ku patjetër do përpiqen në maksimum për të marrë një formë fizike sa më optimale. Teksa gjatë kësaj periudhe në plan janë edhe zhvillimi i ndeshjeve miqësore.

Grupi i kuqebluve ka qenë totalisht i plotë në këto ditë të para të fazës përgatitore. Me futbollistët shkodranë të cilët fatmirësisht nuk po vuajnë asnjë lloj ndalese në infermieri. Duke treguar se deri më tani seancat stërvitore dhe ritmi i imponuar nga trajneri Martini janë përballuar siç duhet nga grupi i 9 herë kampionëve të vendit tonë.

Në ditët në vijim patjetër ritmi dhe dozat stërvitore do jenë më të larta për Vllazninë. Me shkodranët që gjatë kësaj periudhe një “mendje” e kanë edhe në merkato. Ku ende duhen plotësuar disa “boshllëqe” në skuadër të krijuara nga largimet e 8 futbollistëve deri më tani nga organika e skuadrës së sezonit të shkuar.(www.shkodrasport.com)