Prej shumë vitesh, Kosova ka qenë një burim i rëndësishëm për përfaqësueset e Shqipërisë, nga e cila janë afruar shumë lojtarë të talentuar të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për fanellën kuqezi. Por tashmë duket se në Kosovë po mendojnë një strategji se si të bëjnë të mundur të kundërtën, që lojtarë të talentuar nga Shqipëria të shkojnë të përfaqësojnë Kosovën duke veshur fanellën e “Dardanëve”.

Këtë e ka pranuar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili në një intervistë për “ATV”, ka theksuar se dyert për lojtarët nga Shqipëria nuk janë të mbyllura, përkundrazi.

“Çdo moment që neve që na duhet ose na konvenon për ekipin kombëtar, ne do të marrim lojtarë, këtu nuk bën përjashtim as Shqipëria. Në kombëtare do të afrohen vetëm lojtarët më të mirë””, ishin fjalët e tij.

Në fakt, që prej njohjes së Kosovës nga FIFA dhe UEFA, tema e ndryshimit të përfaqësueseve të lojtarëve ka qenë mjaft delikate.

Shpesh kthimi i futbollistëve kosovarë që luanin për moshat e Shqipërisë te “Dardanët”, apo kalimi te ngjyrat kuqezi i ndonjë futbollisti të pikëtuar nga Kosova si në rastet e Dermakut e Ismajlit, është bërë objekt polemikash të shumta dhe marrëdhëniet mes palëve me raste janë ftohur pikërisht për situata të tilla. /vipsport/