Ndeshja e 19 qershorit 2016 ndaj Rumanisë do të mbetet përgjithmonë e shkruar me germa të arta në librat e historisë së futbollit shqiptar.

Ajo ishte sfida kur kuqezinjtë arritën të fitonin ndeshjen e tyre të pare në një turne madhor me atë gol të Armando Sadikut që vështirë se do të harrohet ndonjëherë.

Por tani, 3 vite e gjysëm pas asaj sfide, rivali ndaj të cilit shkruam këtë histori, na kërkon zyrtarisht ndihmë që ajo të arrijë të shkojë në Europianin e radhës ku kuqezinjtë do të mungojnë.

Përfaqësuesja e Rumanisë ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në play-off dhe përballë do të ketë në ndeshjen e parë gjysmëfinale, përfaqësuesen e Islandës, një rival të cilin Shqipëria e njeh mirë pasi e ka ndeshur në kualifikueset e Euro 2020, duke humbur një ndeshje 0-1 në transfertë e duke fituar 4-2 në shtëpi.

Rumunët kërkojnë ndihmë me informacionet që ka stafi kuqezi rreth kundërshtarëve të tyre të radhës, çdo lloj gjëje që mund të bëjë të mundur që ajo të kalojë këtë gjysmëfinale përballë nordikëve.

VIP Spot ka mësuar se Federata Rumune ka dërguar në FSHF një kërkesë të trajnerit të sapoemëruar të përfaqësueses së saj, Mirel Radoi, që të ndihmohet nga stafi kuqezi me analizën që ka rreth kundërshtarit të radhës, pikat e dobëta dhe të forta që ka evidentuar trajneri Reja dhe ndihmësit e tij te Islanda.

Në këtë mënryë, ai shpreson që të ketë një informacion sa më të plotë që ta ndihmojnë të kalojë këtë pengesë në ndeshjen e parë që e luan më 26 mars në Rejkjavik.

Rumunët presin “dosjen” e Shqipërisë mbi kundërshtarin, ndërsa po mbledhin material edhe nga përfaqësuese të tjera që janë ndeshur me islandezët gjatë dy viteve të fundit për të pasur një ide sa më të mirë për atë që i pret. /vipsport/