Shqiptari i kombëtares së Irlandës gjithmonë e më tepër po befason. Ai është shkodran. Bëhet fjalë për 16-vjeçarin Kevin Zefi, të cilit italiania “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull pas performancës së tij të shkëlqyer me U-17 të Interit, ku realizoi një tripletë ndaj Veronës, duke i mundësuar të rinjve zikaltër të mbajnë kryesimin në kampionat.
I lindur në Dublin nga prindër shkodranë, Zefi mahniti të gjithë me një gol spektakolar në kategorinë e dytë të atij vendi, me ekipin e St Kevin’s Boys, ku shkruajti historinë si golashënuesi më i ri i atij vendi, vetëm 15 vjeç dhe 6 muaj.
Destinacioni i një lojtari irlandez zakonisht është Premier League, por për shkak të moshës së re, rregullat e reja pas BREXIT i mohojnë çdo futbollisti të huaj që të nënshkruajë kontratë si i mitur. Interi përfitoi nga rasti duke siguruar talentin e ri, që deri më tani i ka shpërblyer me 5 gola dhe gjeste teknike të përkryera.
Federata Shqiptare e Futbollit ka kontaktuar me kohë me prindërit e Kevin, por ata, edhe pse mirënjohës, për momentin, kanë deklaruar se djali i tyre do të vazhdojë me fanellat jeshile të Irlandës.
Por Zefi nuk është thirrur ende në përfaqësuesen irlandeze, përtej ekipeve zinxhir, kështu që shpresat mbeten për ta parë si kuqezi./dosja.al/