Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, i kënaqur me fitoren e thellë të arritur ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, theksoi në “Gol pas Goli” se filozofia e tij është që t’i dominojë kundërshtarët sa i përket lojës.
“Skuadra ka fituar një ndeshje kundër një kundërshtari që e kishim vlerësuar në maksimum e që të imponon respekt. Skuadra duhet të ketë shumë ekuilibër, kjo fitore të jep entuziazëm e moral, edhe në ndeshjet e tjera kemi krijuar, ishim të qartë para portës. Duke pasur parasysh ndeshjen, në pjesën e parë kemi pasur edhe më tepër mundësi, por duhet të jemi të kujdesshëm se në këto rezultate duhet të motivosh skuadrën, kur je 2-0 përpara se me një gol futet në lojë kundërshtari.
Shpërthimi i sulmit: “Kanë qenë në një ditë të mirë të gjithë sulmuesit. Do të doja të ishin në ditë të mirë në ndeshje të ndryshme, por sot ishin të tre në gjendje të mirë. Kemi pasur shumë probleme sa i përket mënyrës së si sulmonim, në Laç luajtëm mirë edhe pse kishim mungesa. Për mua të gjithë janë të rëndësishëm se duhet të rritemi gradualisht për të arritur atë që meriton Partizani.”
Loja e Partizanit: “Taktika bëhet në varësi të elementëve që ke dhe në varësi të kundërshtarit. Po ta shikojmë mënyrën se si i kemi zhvilluar këto ndeshje, kemi krijuar shumë raste me Dinamon, Kastriotin dhe Laçin, duhet të rritemi dhe të kemi atë fizionomi loje që t’i dominojmë kundërshtarët, por kjo vjen dita-ditës, duke punuar.”
Impakti i prurjeve të janarit: “Në merkaton e janarit nuk kemi shumë mundësi zgjedhjeje. Skuadra e ka forcën nga brenda, plus disa elementë që kanë ardhur. Duhet t’i shikojmë gjërat gradualisht./newsport/