Partizani do të luajë nesër sfidën e javës së 29-të të Superligës ndaj Skënderbeut. Të kuqtë pas eleminimit nga Kupa do të tentojnë të marrin fitoren e radhës në kampionat për të arritur objektivin. Sot në konferencën për mediat, trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka folur për eleminimi nga Kupa, sfidën ndaj Skënderbeut si dhe për Skukën.

“Sa i takon ndeshjes me Vllazninë, për mënyrën se si interpretuam normalisht ndihet në aspektin psikologjik rënia te futbollistët. Duhet të kemi parasysh që kemi bërë një ndeshje të mirë, e nisëm mirë. Në të tilla situata duhen edhe lojtarë me më eksperiencë. 

Kishim mundësinë të bënim 2-0, goditëm traversën me Skukën. Ishte edhe një mundësi tjetër ku Skuka mund të shërbente për Kallakun. Këto janë situata që ndodhin në futboll, pavarësisht se janë ndeshje me tension dhe duhet qetësi”.

Skuka? “Ai është djalë i talentuar dhe mendoj se edhe si karakter është shumë pozitiv, pasi është një djalë që e ndjen gjithçka që bën. Problemi i Skukës është se është keq edukuar sportivisht para se të vinte te Partizani, vjen nga ligat inferiore. Të ngjitesh kaq shpejt në majat e futbollit shqiptar është pak e vështirë të sinkronizohesh. Ka të bëjë me mënyrën se si ai e interpreton lojën në lidhje me skuadrën.

Nuk është lojtar egoist, por është mënyra e tij, është mësuar ashtu. Jam munduar shumë të punoj në aspektin psikologjik, por edhe në aspekti taktik. Ka situata kur ai nuk e kupton se kur duhet ta mbajë topin dhe kur nuk duhet ta mbajë. Ka vlera, por nëse do jetë edhe taktik do të rritet shumë. Skuka ka karakter të fortë dhe shpresoj ta kalojë shpejt këtë situatë”.

Skënderbeu? “Do e respektojmë kundërshtarin në maksimum. Është e rëndësishme të jemi në garë deri në fund. Në të tilla situata ku kundërshtari pothuajse e ka humbur objektivin, luan pa presion, kështu që mund të na e vështirësojë ndeshjen.

Duhet të jemi të vendosur dhe të dimë se çfarë kërkojmë nesër në ndeshje, si dhe të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin. Ndaj Vllaznisë ne kemi bërë maksimumin dhe nuk ka vend për të ulur kokën. Duhet vetëm të ulim kokën e të punojmë dhe të arrijmë objektivin minimal të klubit”.

Formacioni? “Kemi pasur probleme me Junior, i cili ka dëmtuar kaviljen. Do e shohim me stafin mjekësor sot. Kemi pasur edhe Rrapajn që vinte nga një dëmtim. U ngarkua dhe pati të njëjtin problem. Do flasim me stafin dhe do vendosim si do luajmë”.

“Presioni është te Partizani, jo vetëm te stafi, por edhe te lojtarët. Është vetë fanella që ta imponon. Duke pasur parasysh që Partizani është klub i madh dhe gjithmonë ka pasur objektiva të mëdha, normalisht që të vjen keq kur eliminohesh.

Nuk e meritonim të iknim nga kupa, edhe pse e kishim vetë në dorë. Ky është futbolli, i paparashikueshëm. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, të jemi në ekuilibër, mos të mendojmë më tej. Sikurse ka Partizani presion, kanë edhe të tjerët. Kush e përballon më mirë do e arrijë objektivin që ka”.

E ardhmja? “Jam i fokusuar te arritja e objektivit të klubit. Kam një marrëdhënie të mirë me presionin dhe drejtorin. Jam munduar të bëj maksimumin. Futbolli prandaj është i bukur, se është i paparashikueshëm. Pavarësisht se kemi bërë mirë, kemi fituar shumë elementë që mund t’i shërbejnë për të ardhmen skuadrës.

Kemi bërë themelet që të bëjmë një skuadër kompetitive dhe për kampion. Duhet të kemi kujdes, me Mehmetin apo pa Mehmetin, Partizani duhet të mos gabojë më në përzgjedhjen e lojtarëve. Te Partizani duhet të vijnë lojtarë me karakter, me mentalitet fituesi dhe që ta dinë vlerën e kësaj fanelle. Ky është mendimi im personal”, u shpreh Mehmeti.