Vllaznia nuk arriti të shkonte më shumë se një barazim në shifrat 1-1 në javën e 29-të të Superligës. Kuqeblutë u ndaluan vetëm në 1 pikë në transfertën e Durrësit përballë Teutës.
Në momentin kur dukej se skuadra do kthehej në Shkodër me 3 pikë të arta që do e afronin shumë me vendin e tretë në renditje, do ishte një gol i minutës së 98-të i Ivanovic që do barazpeshonte gjithçka në “Niko Dovana”.
Zhgënjim dhe “mëkat” në të njëjtë kohë tek shkodranët që panë t’iu ikte nga duart një 3 pikësh, ku do përfitohej shumë edhe për shkak të ndalesave të kundërshtarëve. Kjo ishte ndeshja e 6-të rradhazi në kampionat ku Vllaznia nuk ka arritur të fitojë. Gjatë kësaj periudhe kuqeblutë kanë marrë 3 barazime dhe 3 humbje. Duke pasur në këtë mënyrë bilancin e një skuadre që lufton për mbijetesë.
E pavarësisht gjithë kësaj krize të 9 herë kampionëve të vendit, pozicioni i tretë në tabelë që mbahet nga Kukësi me 45 pikë është vetëm 4 pikë larg. Kjo pasi edhe kuksianët në periudhën e fundit numërojnë 3 barazime dhe 1 humbje. Rezultate që nuk kanë lejuar shkëputjen e verilindorëve. E po ashtu edhe të Partizanit që u ndal dje kundër Skënderbeut.
Të kuqtë nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 përballë korçarëve. Gabimet e shumta të Vllaznisë nuk janë shfrytëzuar në maksimum nga kundërshtarët dhe kjo e lë garën e hapur për renditjen në 3 vendet e para. Ku duket se gjithçka do vendoset nga përballjet direkte, duke filluar nga kjo fundjavë ku Vllaznia do presë Partizanin në kuadër të javës së 30-të të kampionatit.
Endri ÇINARI