Kukësi arriti të merrte një fitore të artë 1-0 ndaj Skënderbeut. Takimi i zhvilluar në “Loro Boriçi” u vendos nga një gol i shënuar nga Shkurtaj që gjeti rrugën e rrjetës me prekjen e parë të topit.
Verilindorët ngelën me 10 lojtarë që nga minuta e 37-të, por nga kjo situatë nuk arriti të përfitonte Skënderbeu që doli i humbur nga ky takim. Në fund të ndeshjes për “Gol pas Goli”, trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli u shpreh:
Çfarë i mungoi Skënderbeut? “Edhe ne mungesa ishim sot. Duke parë parë lojën, nuk dua të vë në diskutim cilësitë që ka Kukësi. E nisëm ndeshjen me një vendosje të ngjeshur për të mos i lënë hapësira Kukësit që ka lojtarë cilësorë. Duke parë ndeshjen, me një lojtar më shumë, preferoj më shumë golin se kartonin pasi skuadra çlirohet nga ana psikologjike pasi nuk kemi shënuar gol në 3 ndeshje.
Kishim shumë rastë në pjesën e dytë sa ndjej keqardhje të madhe për veten dhe lojtarët. Pesha e rezultateve bie gjithmonë mbi trajnerët dhe lojtarët duhet të bëjnë maksimumin. Janë 24 orë të rëndësishme për veten time sepse kontigjenti i lojtarëve nuk është i duhur pasi kemi mungesa. Nuk ka shumë alternativa në këtë merkato janari.
Mungesa e rezultateve bie mbi trajnerin dhe trajneri e bën skuadrën që të dali para porte. Këto 3 ndeshje, mendoj se kanë qenë edhe çështje fati, por edhe fatin e bën cilësia. Nëse dëshiron të shënosh duhet të shpenzosh duke blerë lojtarë në sulm.
I kam thënë lojtarëve që një punë me trajnerin është aspak, ndërsa një stërvitje individuale është shumë dhe do të shënosh në ndeshje. Nuk kam asgjë me lojtarët dhe nuk kam çfarë të kërkoj më shumë te ata. Janë 24 orë të rëndësishme për të parë se çfarë duhet të përmirësojmë”.
Merkato? “Si asnjëherë tjetër, unë nuk kam punuar kurrë në një ambient kaq të qetë. Më është plotësuar çdo gjë që kam kërkuar dhe kemi investuar te lojtarët e rinj. Ndonjëherë njeriu duhet t’i shikoj gjërat më veten dhe këto 24 orë më duhen për të kthjelluar mjergullën që është krijuar”.
Çështje largimi? “Jam njeri që shpreh mirënjohje për këdo që punoj. Dua të kthjellohem pak duke parë që kemi krijuar shumë raste dhe nuk kemi shënuar. Duhet të kishim dalë të paktën me një pikë nga ky takim./newsport/