Ndeshjet e fundit të Vllaznisë kanë sjellur pakënaqësi për opinion sportiv, jo vetëm në Shkodër, por në përgjithësi, sepse kjo skuadër nuk po prodhon më një futboll të bukur, ashtu siç pritet.
Sipas analistit sportiv, Fatmir Mëneri, në skuadrën shkodrane ka humbur entuziasmi. Mëneri u shpreh se tashmë nuk po shihet ai ekip që të imponohej në fushën e lojës, megjithatë ai theksoi se në krahasim me Partizanin, sërish Vllaznia mbetet një shkallë më lart.
“Sigurisht që, normale është që lojtari, siç është Latifi në këtë rast, nuk do të ecë gjatë gjithë sezonit në formë optimale, por ajo që është shqetësuese për mua tej kuadrit teknik, është që në skuadër ka humbur entuziasmi.
Vllaznia ishte një skuadër që të imponohej edhe në planin psikologjik, që në momentin që fillonte ndeshja dhe një nga gjërat, veçoritë dalluese që kishte Vllaznia është se në vijën ballore të zonës, shikoje katër-pesë lojtarë minimumi.
Domethënë, sulmonte me shumë forca. Të detyronte të qëndroje i mbyllur. Një prezencë e tillë ka munguar. Në krahasim me Partizanin, sërish Vllaznia është një shkallë më lart”,-tha gjatë prononcimit të tij, analisti sportiv, Fatmir Mëneri.
Maringlen ZHIVANI