Pas dy firmave të para të hedhura në kontratë me futbollistët Herald Marku e Dajan Shehi, u duk se gjërat tek Vllaznia do të fillonin të lëviznin sepse bisedimet me disa lojtarë të tjerë po shkonin drejt konkretizimit. Por duket se tashmë merkatoja e kuqebluve do të mbesë edhe për disa ditë të tjera në vend- numëro.

Kryetari në ardhje i Bashkisë Shkodër Valdrin Pjetri i ka kujtuar administratori Lici ditën e djeshme të bëjë kujdes me kontratat që firmos dhe padyshim që kjo gjë do t’i stopojë bisedimet me lojtarët e tjerë.

Vetë numri 1 i klubit kuqeblu nuk ka preferuar të bëjë debat, por nga ana tjetër, me shumë siguri që nuk do të firmosë kontrata me lojtarë të tjerë, pa u sqaruar situata në institucionin e qeverisjes lokale.

Në këtë mes ajo që e pëson është vetëm Vllaznia. E nëse bisedimet me disa lojtarë të huaj në këto momente janë ndërprerë, mësohet se janë disa futbollistë shkodranë që kanë shprehur dëshirën për t’u rikthyer tek kuqeblutë dhe janë në pritje të një oferte nga drejtuesit e klubit për t’u ulur në bisedime me ta.

Shpeshherë është thënë se Vllaznia mund të bëhet vetëm me shkodranë dhe ndoshta ka ardhur momenti që të ndodhë kështu. Por gjithsesi, deri në fillimin e muajit gusht nuk pritet të ketë gjë konkrete në këtë drejtim dhe kjo kuptohet që nuk është në të mirë të skuadrës.