Xhiakomo Vrionit i është dashur vetëm ndeshja e dytë me fanellën e Juventusit U23 pas kthimit në fushën e lojës pas dëmtimit, që të linte shenjë dhe të bëhej i rëndësishëm për klubin bardhezi. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka shënuar sot në fitoren 1-0 ndaj Karrareses, për të mbajtur ekipin e tij në zonën e play-off për ngjitjen në Serinë B.

Vrioni e nisi takimin e sotëm nga stoli, por u aktivizua në fraksionin e dytë të lojës nga trajneri pasi skuadra shfaqte vështirësi që të gjente rrugën e rrjetës.

Në fundin e ndeshjes, bardhezinjtë fituan një penallti dhe detyra për ta gjuajtur atë iu besua pikërisht sulmuesit shqiptar i cili nuk gaboi duke shënuar në shtesën e takimit golin e fitores 1-0.

Për Vrionin ky ishte goli i dytë në këtë sezon me fanellën e Juventusit U23, pasi kishte realizuar edhe në fillim të edicionit, para dëmtimit që e la për 4 muaj jashtë fushave të lojës. /vipsport/