Igli Tare ka lënë shenjë në këto vite në futbollin Italian në klubin e Lacios e tani fama e tij po përhapet në të gjithë botën.
Prania mes katër kandidaturave në çmimin prestigjioz “Globe Soccer Awards” si drejtori më i mirë sportiv, padyshim e vërteton këtë dhe për Taren, kjo është nëj krenari e veçantë, siç ka pranuar edhe vetë ai duke folur para gazetarëve në ceremoninë në Dubai.
“Jam krenar që kam qenë mes kandidatëve për këtë çmim special. Jam një profesionist të cilit i pëlqen që të punojë në prapaskenë”, ishte shpjegimi i tij për mënyrën se si vepron me aq sukses te Lacio dhe për këtë arritje të vogël individuale.
Më pas, sigurisht ai ka kthyer vëmendjen te ekipi që po bën shumë mire në këtë edicion dhe mbylli vitin me SuperKupën e Italisë.
“Duhet të mbajmë këmbët në tokë, të vazhdojmë të punojmë me përultësi. Ka shumë kënaqësi për fitoren e SuperKupës, por kjo tashmë i përket të kaluarës. Tani duhet të mendojmë menjëherë për kampionatin që rifillon.
Objektivi është një pozicionim në zonën e Ligës së Kampioneve, për të është punuar që nga fillimi i sezonit. Pastaj do të shohim 3 apo 4 javë para fundit ku do të jemi, por gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri në këtë moment”, tha Tare. /vipsport/