Ekipi i Turanit, i cili këtë sezon do të luajë në Premier Ligën e Azerbajxhanit, mund të bëjë transferimin e parë dhe klubi në fjalë është i interesuar për futbollistin shkodran, Edon Hasani.

Trajneri i skuadrës azerbajxhanase, Abbasov e ka ndjekur dhe e ka pëlqyer futbollistin. Ata kanë planifikuar t’i bëjnë ofertën së shpejti për ta pasur në ekipin e tyre. Të paktën kështu shkruajnë mediat azerbajxhanse.

Mesfushori 30-vjeçar së fundmi ka luajtur për Kastriotin. Ai luajti 27 ndeshje me këtë ekip, teksa shënoi 3 gola dhe dha 4 asisst. Hasani ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, në grupmosha të ndryshme.

Në Shqipëri, Edon Hasani ka veshur fanellën e Vlaznisë, Kukësit, Tiranës dhe Partizanit, përveç Kastriotit së fundmi. Në karrierën e tij, Hasani ka luajtur 237 ndeshje, teksa ka shënuar 34 gola dhe dhënë 12 asisst.

Maringlen ZHIVANI