Partizani u eleminua dje nga Conference League, pasi ruleta e penalltive i buzëqeshi skuadrës së Saburtalos. Edhe pse në takimin e parë të kuqtë kishin triumfuar 1-0, dje u mposhtën në shtëpinë e tyre në një sfidë që dhuroi gjithçka. Gjeorgjianët arritën të realizojnë në pjesën e dytë duke e çuar takimin në shtesa.

As 30 minutat nuk prodhuan asgjë dhe penalltitë i buzëqeshën miqve. Eleminimi nga Conference League përkthehet ndryshe në mijëra euro të humbura. Nëse do të kishin shkuar në turin e dytë, Partizani do të fitonte në total plot 550 mijë euro. Kryeqytetasve tashmë i përket vetëm fitimi nga turi i parë, 250 mijë euro.

Situata në kampin e kuq është trazuar ndjeshëm. Trajneri Dritan Mehmeti ndihet seriozisht i rrezikuar dhe kjo u pa edhe dje pas sfidës në prononcimin për shtyp. Një profesionist gjithmonë merr përsipër përgjegjësinë, por tekniku i kuq ua faturoi eleminimin futbollistëve të tij duke hequr barrën nga vetja.

Prej kohësh te 16 herë kampionët e vendit përflitet për një trajner tjetër, por zërat janë bërë më të fortë para ndeshjeve të Europës.

Për Mehmetin, Conference League ka qenë si barometër për të ardhmen. Edhe dje pas sfidës la të nënkuptohet se gjithçka është në udhëkryq duke u shprehur se nuk di asgjë se çdo të ndodhë.