Aventura e Zlatan Ibrahimoviçit te Milani mund të zgjasë ende, pavarësisht moshës së shtatlartit suedez. Ai mbushi 40-vjeç në tetor, por ende vazhdon të luajë në nivele të larta duke qenë pika kyçe në sulmin e kuqezinjve.

Drejtuesit, trajneri dhe shokët e shohin si pikë referuese suedezin dhe pavarësisht moshës së tij të lartë, po tentohet zgjatja e kontratës dhe për një tjetër sezon. Ibrës i skadon kontrata në fund të vitit tjetër, ndërsa sipas “La Gazzetta dello Sport”, klubi i ka ofruar zgjatjen e saj deri në qershor të vitit 2023.

Firma mund të vijë me nisjen e vitit të ri dhe palët pritet të gjejnë dakordësinë për të vazhduar bashkëpunimin e kjo konfirmohet nga prania në selinë e “Djallit” e Mino Raiolës. Ky është sezoni i katërt i Ibrës me Milanin i ndarë në dy periudha, fillimisht në vitet 2011-2013 dhe sërish në vitin 2020 duke vijuar dhe aktualisht.

FJALA E RAIOLËS – Dje ka zbarkuar në Milano Ivan Gazidhis dhe menjëherë në selinë e klubit kanë nisur bisedat në lidhje me të ardhmen e disa lojtarëve. Takimi i parë ka qenë me Mino Raiolën, i cili kujdeset për interesat e Zlatan Ibrahimoviçit dhe Alesio Romanjolit.

Të dyve u skadon akordi me kuqezinjtë në fund të sezonit dhe vullneti është për të vijuar bashkëpunimin. Me menaxherin në fjalë nuk i dihet kurrë në fakt, siç e konfirmojnë edhe deklaratat e dhëna prej tij pas daljes nga “Casa Milan”.

Si shkoi takimi me drejtuesit kuqezi?
Mund të them se shkoi mirë, por sidoqoftë ishte një takim i thjeshtë, dashamirës…

A do të rinovojë kontratën Romanjoli?
Nuk kam folur dhe nuk do të flas kurrë për bisedimet në lidhje me kontratat pa u marrë një vendim përfundimtar.

A do të qëndrojë?
Është e mundur, patjetër. Gjithçka është e mundur.

Po me Ibrën, çfarë do të ndodhë?
Mund të qëndrojë, siç thashë, gjithçka është e mundur nëse palët gjejnë gjuhën e dialogut dhe një marrëveshje që i kënaq të gjithë.

Zlatani, çfarë dëshire ka?
Nuk ka ndryshuar aspak. Është i njëjti në profesionin e tij. Ka dëshirë e vullnet për të vijuar karrierën dhe në synimet e tij është edhe Botërori i vitit të ardhshëm në Katar.

Si është Donaruma?
Nuk po kalon një moment të veçantë. Është thjesht një situatë që nuk e ka provuar më parë në jetën e tij. Sidoqoftë, nuk ka asnjë problem.

A folët me Milanin për Xhixhon?
Jo. Është një djalë i rritur. Nuk e mora unë me zor e as e largova nga Milani. Nuk jam taksist, por një profesionist që kujdeset për interesat e të asistuarve të tij. Nuk jam penduar për asgjë.