Rudi Vata, ishkapiteni i shquar i Kombëtares shqiptare, është lënë jashtë listës për ndeshjen e legjendave, që do të zhvillohet për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ish-mesfushori, në bisedën ekskluzive për “Panorama Sport”, saktëson që në fillim se nuk do të kishte mundur të vinte, edhe nëse do të merrte ftesë, por do ndihej i vlerësuar nëse dikush do ta kishte telefonuar, qoftë edhe për mirësjellje.
Rudi, a ju kanë ftuar në ndeshjen e legjendave që do të zhvillohet më 10 janar?
Jo, jo nuk jam ftuar. Nuk i kanë shkuar alfabetit deri në fund… Askush nuk më ka kontaktuar. Nuk jam i dëshpëruar dhe as i mërzitur mik i dashur. E dini pse? Sepse kurrë më mirë se sot nuk kam qenë ndonjëherë.
Edhe po t’i kishte shkuar mendja dikujt që të më ftonte, do ta falënderoja, por do të ishte e pamundur që të merrja pjesë, sepse ndodhem në Spanjë për fazën përgatitore (me skuadrën belge të Muskronit).
A ju vjen keq që nuk jeni?
Shikoni, unë sinqerisht nuk e mbaj veten për legjendë dhe as kërkoj që të quhem legjendë, sepse jam i sigurt që në historinë e Shqipërisë nuk ma merr mendja që ka dalë ndonjë njeri që të arrijë në ato nivele që të klasifikohet “legjendë”.
Por, gjithsesi unë e mbaj veten për njeri të ndershëm, të drejtë. Një djalë punëtor shqiptar dhe i rregullt, në të gjitha drejtimet. I kam shërbyer vendit tim me mënyrën më të mirë, duke punuar fort dhe duke përfaqësuar veten me ato vlera profesionale dhe njerëzore.
Kështu që fjala legjendë është e tepërt për ne dhe për të gjithë shqiptarët. Të mos i shkojë mendja njeriut se ka legjenda ky vend, por ka njerëz që kanë punuar mirë, kanë bërë mirë dhe kanë përfaqësuar vendin me dinjitet. Të gjithë këta mund të quhen njerëz me vlera.
Nuk mungoni vetëm ju. Ka edhe emra të tjerë të rëndësishëm që nuk janë në listë…
Mik i dashur, ne e dimë mirë se Shqipëria është vend qokash dhe menaxhohet nga qokaxhinjtë. Por unë në gjithë karrierën time dhe jetën time nuk kam qenë pjesë e qokave dhe kurrë nuk kam bashkëpunuar me qokaxhinjtë.
Kështu që ta gëzojnë qokën e radhës dhe të kenë kujdes që të përgatiten më mirë për qokën e radhës tjetër… Dua t’u them edhe diçka tjetër. Te vendi ku unë kam vendosur të jetoj (Skoci), ata njerëzit aty vërtet më quajnë legjendë.
E bëjnë për arsye nga më të ndryshmet, por jam i sigurt që aty më quajnë legjendë, jo sepse ata më kanë bërë qokë mua, por diçka u kam dhënë atyre njerëzve, të cilët më kanë futur në gjirin e tyre.
Ata më vlerësojnë dhe më respektojnë me statusin e legjendës. Kjo është tepër e rëndësishme për mua, sepse po flasim për një vend ku shihet gjithçka me objektivitet dhe respektohet njeriu i vlerave dhe i punës”, deklaroi Vata.