Vllaznia do e fillojë këtë vit me miqësoren kundër Prishtinës ditën e dielë. Kuqeblutë do kenë përballë rekordmenët e futbollit kosovar në ndeshjen e parë përpara takimit zyrtar me Tiranën. Ky takim do i shërbejë më së shumti shkodranëve, kjo pasi Superliga kosovare nuk do startojë deri në javën e dytë të shkurtit.
Megjithatë edhe për Prishtinën kjo do jetë një ndeshje që do vlejë. Edhe bardheblutë po bëjnë përgatitjet e tyre në këtë fazë dimërore. Por gjithashtu tek 11 herë kampionët e Kosovës po përgatiten edhe për një festë akoma më të madhe këtë sezon. Klubi i mirënjohur feston 100-vjetorin e themelimit në këtë vit.
Për këtë arsye do ketë një miqësore me një klub shumë të njohur europian. Mediat në Kosovë bëjnë me dije se ndeshja për 100-vjetorin e Prishtinës do jetë kundër gjigandëve gjerman të Borussia Dortmund. Ekipi që ka fituar edhe një herë Champions League duket se ka rënë dakord për të zhvilluar këtë takim miqësor kundër Prishtinës.
Pavarësisht se është thjesht një miqësore, sërish kjo sfidë mbart një ndjenjë të veçantë. Për momentin në kampionat, Prishtina ndodhet në vendin e 5-të të renditjes me 24 pikë, plot 9 pikë pas kryesuesve të Gjilanit me 35 pikë. Kampionët në fuqi të Kosovës kanë detyrën e vështirë që në gjysmën e dytë të sezonit të rikuperojnë ndaj kryesueve.
Endri ÇINARI