Tirana pret nesër Vllazninë kryesuese për ndeshjen e vlefshme në javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Ish-trajneri i dy skuadrave analizon se si vijnë në këtë përballje bardheblutë dhe kuqeblutë, objektivat e secilës në këtë 90-minutësh, por edhe për pjesën tjetër të sezonit.

Mirel Josa, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon edhe pikat nevralgjike të Vllaznisë, njësoj siç flet edhe për dobësitë që po kalon momentalisht Tirana. Gjatë deklaratës së tij, Josa vlerëson Kastriotin si dhe analizon ecurinë e deritanishme të pretendenteve të tjera, Partizani, Teuta apo edhe Laçi.

“Tirana duhet të ishte shumë e kujdesshme në lëvizjen e lojtarëve. Mirëpo, s’mund të themi që një Ngo e bëri Tiranën vjet”, tha Mirel Josa.

Profesor, nesër luhet Tirana-Vllaznia. Si e prisni këtë përballje?

Unë e vlerësoj ecurinë që ka bërë deri më tani Vllaznia. Tirana po mundohet që të rikuperohet, por problemi është se barazimet në këtë kampionat nuk të bëjnë punë. Vllaznia do të vijë në Tiranë për të mos humbur.

Ajo është një skuadër që ka krijuar një fizionomi loje dhe kërkon medoemos që të mbajë kreun. Tirana është një skuadër që ka probleme, duke pasur parasysh problemet e traumave që ka dhe probleme të tjera të cilat kanë bërë që të mos marrë rezultatet maksimale.

Prej vitesh s’ndodhte që shkodranët të ishin në krye me kaq diferencë. Ka një sekret për këtë?

Nuk ka sekret. Jo vetëm të Vllaznisë, por të asnjë skuadre. Vllaznia ka korrigjuar disa gabime të së shkuarës, duke filluar që nga mënyra e organizimit të skuadrës, mënyra si ka përzgjedhur stafin teknik dhe besimin që ato kanë te ky staf.

Për të konkluduar, Vllazninë do ta përgëzoja për mënyrën si është organizuar, bashkëpunimi i bashkisë me sponsorin e ri, plus përzgjedhja e lojtarëve gjatë kësaj periudhe.

Josa i gradoni pretendente për titullin?

Ne jemi mësuar që përpara fillimit të çdo kampionati të flasim për ekipe kampione që pa nisur, thjesht bazuar në merkaton që bëjnë. Por tani është ndryshe. Sipas meje, me përqindjet që u takon, unë i vlerësoj skuadrat në bazë të klasifikimit.

Sipas jush sa % do t’i jepnit momentalisht kësaj Vllaznie?

Të paktën 51%, përderisa është në vend të parë. Nuk ka mundësi që një njeri që është marrë me futbollin, të mos i japë përparësi Vllaznisë, duke qenë 6 pikë para vendit të dytë, Partizanit.

Sikur të ishit trajneri kundërshtar, cilat janë pikat e forta të Vllaznisë që do t’i kishit kujdes?

Në futboll nuk flitet me “sikur unë të isha”… Vllaznia ka një skuadër e cila, për mendimin tim ka disa probleme në mesfushë. Nuk do të thotë që diferenca me skuadra të tjera është e madhe, nuk është e tillë. Ka stabilizuar qendrën e mbrojtjes dhe kërkon që të luajë mirë me topin, të organizohet mirë sidomos kur del në sulm.

Duke filluar që nga mbrojtja me një dalje graduale. Nuk mund të themi që ka lojtarë të shpejtë nga mesfusha e përpara. Çedon pak në dyluftimet, në lojën e fortë, në të dy repartet si në mbrojtje edhe në mesfushë. Kjo skuadër, e cila është e bukur për t’u parë, por duhet të jetë edhe e mirë për të marrë atë që kërkon, më cinike, më produktive.