Pak dite me pare qarkulloi lajmi se ish- trajneri i Partizanit Skender Gega do te emerohej ne pankinen e Prishtines, ekip qe siç dihet drejtohet nga tiranasi tjeter Mirel Josa.Ky i fundit ka folur sot per here te pare ne lidhje me kete çeshtje, duke thene:

“Dua të dini që unë nuk jam një trajner që më mban kontrata të lidhur me një klub. Jam trajner që më lidh sinqeriteti që unë kam karshi klubit e futbollistëve dhe sinqeriteti që ata kanë karshi meje. Lajmi për Nerin (Skënder Gegën) nuk më shqetësoi, por më bëri të kuptoj më mirë marrëdhënien që duhet të kem dhe mënyrën se si duhet të sillem me persona të tillë, të cilët publikojnë gjëra të tilla.

Dy javë pasi mbaroi kampionati kam sheshuar gjithçka me drejtuesit e klubit dhe kur doli ky lajm isha me to në grumbullimin që kemi për fazën përgatitore. Drejtuesit nisën të mendonin nga ka dalë ky lajm i rremë pasi asgjë nuk ishte e vërtetë.

Atë mbrëmje që doli ky lajm më telefonoi vetë Neri dhe më tha që nuk ka asgjë të vërtetë. Unë me Nerin, (po i thërras kështu sepse kam konfidenca dhe marrëdhënie shumë të mira me të) nuk njihemi sot ose dje por njihemi që nga koha kur luanim bashkë te të rinjtë e Kombëtares.

Nuk do të mërzitesha aspak edhe nëse realisht vinte Neri apo kushdo tjetër si trajner te Prishtina por nuk më vjen mirë që dalin lajme të rrema. Asnjëri nuk është i paprekshëm dhe as unë nuk jam i paprekshëm. Nuk i kemi klubet me tapi dhe megjithëse kam edhe dy vite të tjera në kontratë. Ne po na marrin tapitë që i kemi tonat, e jo më të na zënë vendin në ekipet futbolli”.