Vetëm pak orë pas hedhjes së shortit, ku goglat e vendosën përballë rumunëve të Universitatea Craiovës, skuadra e Vllaznisë nisi përgatitjet për Europën, pikërisht këtë pasdite në Shkodër, nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa.
I kontaktuar nga SuperSport, ky i fundit komentoi shortin, duke mos e quajtur si më të mirin e mundshëm, megjithatë shprehu optimizëm se skuadra mund t’ia dalë me sukses.
“Unë kam ndjekur paraprakisht edhe kundërshtarët e mundshëm dhe mund të them se ky nuk ishte shorti më i mirë për Vlllazninë. Bëhet fjalë për një skuadër të fortë, megjithatë ne do të punojmë për t’u përgatitur sa më mirë dhe për të provuar kalimin e turit”, u shpreh Josa.
Presidenti Xhaferi tha se beson jo pak te eksperienca europiane e trajnerit kryeqytetas, megjithatë vetë Josa nuk kërkon të shohë nga e shkuara, por të përqendrohet te puna. Tekniku i kuqebluve ka folur edhe për fazën përgatitore dhe merkaton e Vllaznisë.
“Unë në Europë kam eksperienca të mira, por edhe të jo fort pozitive, ndaj nuk mendoj se kjo ka ndikim, ndaj na mbetet të shohim përpara. Kushtet na janë plotësuar të gjitha dhe sot po nisim përgatitjet në Shkodër, teksa në ditët e ardhshme do të zhvendosemi në një tjetër vend për të vijuar fazën përgatitore. Kemi dy opsione, por do ta vendosim me presidentin, menjëherë sapo të kthehet nga Zvicra.
Sa i përket merkatos, kemi rinovuar me ata që ishin “bërthama” e sezonit të kaluar dhe kemi firmosur me Boshnjakun. Janë kthyer në Shkodër edhe futbollistët që kanë qenë në huazim në skuadra të tjera dhe paralelisht po punojmë për të përforcuar edhe më shumë ekipin.
Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të tjera edhe sa i përket merkatos, megjithatë ne jemi të përqendruar të punojmë dhe të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret, por edhe për sezonin në vijim”, u shpreh Josa për SuperSport.