Një pritje e gjatë 33-vjeçare, e cila mund të marrë fund të dielën rreth orës 17:00. Qyteti i Napolit është bërë gati për festën madhështore, e cila mund të zgjasë edhe më shumë sesa thjesht disa orë… Skuadra e Luçiano Spaletit dje ka marrë dritën jeshile për të spostuar ndeshjen të dielën në orën 15:00, me shpresën se do të ketë edhe matematikën nga ana e tyre.

Nëse në mesditë Lacio e vendit të dytë nuk shkon më larg se një barazim ndaj Interit dhe ky rezultat shoqërohet me fitoren e të kaltërve në “Diego Armando Maradona”, siç mendohet që të kryhet edhe formaliteti i fundit, qyteti i Napolit mund të shpërthejë në një gëzim që e priste prej më shumë se tri dekadash.

Në qytet është bërë gjithçka gati, me çdo rrugë të tij që është pikturuar me banderola, flamuj dhe çdo ide tjetër të mundshme për të vlerësuar e falënderuar Spaletin dhe djemtë e tij. Madje, çmenduria pritet të shkojë edhe më shumë sesa thjesht një festë sportive.

Nëse policia nga ana e saj ka marrë masa ekstreme, raportohet se vetë klubi i Napolit ka mbetur pa hotel për t’u grumbulluar për ndeshjen me Salernitanën, pasi gjithçka është prenotuar edhe nga qindra mijëra turistë që ka ardhur nga e gjithë bota.

Mesa duket, presidenti De Laurentis kishte të drejtë kur diçka më shumë se një muaj më parë raportonte se pritet një festë prej 2 deri në 3 milionë pjesëmarrësish.

Gjithsesi, nëse fishekzjarrët do të shpërthejnë rreth orës 17:00 kjo do të mësohet që pas ndeshjes së mesditës, ku shpresa është që Lacio të mos fitojë ndaj Interit. Në të njëjtën kohë, klubi ka lajmëruar se në rast triumfi, nuk do të ketë një parakalim me autobus të hapur, edhe për arsye sigurie.