Një nga pikat e kërkuara nga bota e sportit kundrejt qeverisë në takimet dypalëshe për paketën e re të ligjeve që u premtua të miratohej, ka qenë edhe për lehtësirat e kërkuara në lidhje me materialet dhe barnat e mjekësisë sportive, të cilat u kërkuan të zbriten nga detyrimet doganore, por edhe nga TVSH-ja.
“Panorama Sport” disponon edhe kuadrin ligjor tashmë të ndryshuar, ku rezulton e plotësuar kjo gjë si më poshtë: “Në ligjin nr. 79/2017, ‘Për sportin’, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni 2/ pikat 5 dhe 6 të nenit 7, ndryshohen, si më poshtë vijon:
5. Ndihmat apo sponsorizimet me materiale sportive, pajisje sportive, barna dhe pajisje të mjekësisë sportive në funksion të sportit, për organizatat sportive dhe për Qendrën e Shërbimit të Sportit, të cilat vijnë nga institucione sportive ndërkombëtare apo çdo formë tjetër sponsorizimi, në kuadër të bashkëpunimit, nxitjes së sportit dhe rritjes së nivelit të sportit në rang ndërkombëtar, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.
6. Procedurat e përjashtimit dhe listat e materialeve e të pajisjeve sportive dhe ato mjekësore në funksion të sportit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave’”, shkruhet në ndryshimet e reja ligjore të cilat pritet të miratohen në parlament pas diskutimeve në komisionet parlamentare.