Dje në gazetën “Panorama Sport” lexo va artikullin “ARBITRAT NË KOLAPS, JA PRAPASKENAT NË FSHF”… Ndër gafat e arbitrave ishte trajtuar edhe takimi BYLIS-VLLAZNIA 2-2, ku shkruhej:

“Një penallti e anuluar në favor të Bylisit në minutën 90 krijoi një kaos të paparë… Por, në momentin që ndërhyn delegati apo vëzhguesi (tekst), gabimi është shumë më i rëndë dhe pikërisht këtu gaboi kryesori…”.

Duke qenë vëzhgues i këtij takimi nuk mund të rri indiferent pa dhënë mendimin për situatën e minutës së 90-të. Për disa çaste kemi qëndruar dhe kemi vëzhguar së bashku me delegatin situatën e krijuar. E pamë të arsyeshme që të ndërhyjmë sipas kompetencave tona. U drejtova drejt asistentit, ku ndërkohë shihja reagimin e lojtarëve ndaj arbitrit kryesor. Pyeta asistentin për rastin në fjalë dhe më tha tekstualisht:

“Nuk ishte 11-metërsh. Topi goditi në shpinën e mbrojtësit”. Pyetjes sime të dytë: “A e vure në dijeni kryesorin?” – ai m’u përgjigj me një “po” të zgjatur. Të njëjtën përgjigje më dha edhe arbitri i katërt, ndërsa qetësisht kryesori më tha se e kishte anuluar 11-metërshin. Me qetësimin e situatës, arbitri rifilloi lojën me top të diskutueshëm deri në vërshëllimën e fundit.

Më pas, veprimet e lojtarit ballshiot ishin antisportive, në kundërshtim me rregullat e lojës dhe frymën sportive, që u ndëshkuan sipas rregullores. Me të drejtë opinioni sportiv krijon dyshime dhe hamendje të ndryshme se përse gaboi arbitri? Përse e dha një herë, pastaj anuloi…? Dhe pse-të që nuk mbarojnë kurrë…

Fillimisht drejtoj pyetjen? Si është vendimi më i mirë? Një 11-metërsh i dhënë me pa të drejtë, apo një VENDIM i DREJTË i dhënë me pak vonesë nga skuadra e arbitrave? Si sportdashës dhe në detyrën e vëzhguesit të futbollit, jam dhe mbetem për VENDIMIN E DREJTË, qoftë edhe me pak vonesë. Besoj se vlerësimi për arbitrin është pozitiv.

Në protokollin e takimit, ku flitet për PERSONALITETIN e ARBITRIT kam shkruar: “Ngarkesës psikologjike të lojtarëve të dy ekipeve, arbitri iu përgjigj me karakter të qëndrueshëm, i painfluencuar në dhënien e një vendimi të drejtë, edhe kur kriticizmi ishte i pashmangshëm. Ai nuk u influencua nga faktorë të jashtëm dhe i përmbajtur në situatën e krijuar…”. Po, nesër…? Kam besim se arbitri do të zbresë përsëri në fushat e futbollit me përkushtim dhe profesionalizëm më të madh.

Dhe jo vetëm ky, por edhe të tjerë, të njohur pak nga sportdashësit! Edhe “bilbilat” gabojnë, sepse gabimi është njerëzor. Kryesorja është të mos jetë i qëllimshëm. Arbitrat duan mbështetje! Jo vetëm nga dashamirësit e futbollit, por edhe nga fituesit dhe humbësit e garës, sepse kështu fitojmë të gjithë! Fiton futbolli shqiptar… Në mbyllje të shkrimit m’u kujtua urimi i z.Ismet Bellova, “Mësues i merituar” dhe komentator i sportit në parathënien e librit “Historiku i arbitrave shqiptarë të futbollit”: Nderim dhe respekt për arbitrat!

Nga MIKEL SHESTANI*

*Vëzhgues i FSHF-së për ndeshjen Bylis-Vllaznia 2-2.