Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht dy humbjeve në ndeshjet e para të “Final 4”, Vllaznia ende nuk e ka humbur motivimin për ta mbyllur sezonin në mënyrën më pozitive të mundshme. Shkodranët kanë parë t’u zbehen ndjeshëm shpresat për titullin kampion, por objektivat e skuadrës kuqeblu mbeten ende të rëndësishëm për vazhdimësinë europiane të klubit. Përballja finale ndaj Elbasanit shihet si një sfidë ku rezultati pozitiv është detyrim.
Në kampin shkodran janë të vetëdijshëm se vendi i dytë në renditjen përfundimtare të sezonit mund të ketë një peshë të madhe për të ardhmen në Europë. Një pozicion sa më i lartë në klasifikim do t’i siguronte Vllaznisë një short më të favorshëm në raundin e parë kualifikues të Conference League, duke shmangur përballje të forta që në nisje të aventurës europiane.
Pikërisht për këtë arsye, skuadra pritet të zbresë në fushë me motivim maksimal këtë të diel. Edhe pse objektivi madhor, ai i titullit kampion, duket tashmë shumë i vështirë për t’u arritur, te kuqeblutë ekziston bindja se çdo renditje më e mirë është një avantazh i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Një kundërshtar më i lehtë në short do t’i rriste ndjeshëm shanset për kalimin e raundit të parë europian.
Trajneri dhe stafi teknik kërkojnë reagim nga skuadra pas dy rezultateve negative, ndërsa edhe tifozët presin një paraqitje dinjitoze në sfidën e fundit të sezonit. Vllaznia synon të tregojë karakter dhe të mbyllë kampionatin me një fitore që do të kishte jo vetëm vlerë morale, por edhe rëndësi konkrete në aspektin strategjik për Europën.
Natyrisht, asgjë nuk krahasohet me fitimin e titullit kampion, objektiv që mbetet ëndrra më e madhe e çdo sezoni për shkodranët. Megjithatë, në kushtet aktuale, sigurimi i një pozicioni sa më të lartë në renditje mbetet një ambicie reale dhe e rëndësishme për Vllazninë, e cila do të tentojë me çdo kusht rezultatin pozitiv përballë Elbasanit në aktin e fundit të këtij edicioni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


