Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Nga dëmtimi drejt rikthimit… Daniel Lekndreaj po numëron ditët për t’u kthyer në parket. Basketbollisti shkodran, një nga shtyllat e Sigal Prishtinës dhe Kombëtares shqiptare, po lë pas problemet fizike që e mbajtën larg ndeshjeve dhe shumë shpejt pritet të jetë sërish në dispozicion të skuadrës.
Fotot e publikuara së fundmi nga menaxheri i tij, Armend Kelmendi, tregojnë qartë se Lekndreaj është në fazën përfundimtare të rikuperimit, ndërsa te Sigal Prishtina presin me optimizëm rikthimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.
Përvoja, cilësitë dhe pesha që ka në lojën e skuadrës e bëjnë rikthimin e tij një lajm të mirë për klubin kryeqytetas, i cili synon objektiva madhore në sezonin e ri.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Daniel Lekndreaj do të jetë shumë shpejt gati për të zbritur sërish në parket me fanellën e Sigal Prishtinës, duke lënë pas një periudhë të vështirë dhe duke u rikthyer aty ku ndihet më mirë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


