Shkruar nga Endri ÇINARI
Bilanci i pesë përballjeve të fundit mes Skënderbeut dhe Vllaznisë dëshmon një ekuilibër të plotë mes dy skuadrave. Në prag të sfidës së radhës në Korçë, statistikat tregojnë se asnjëra prej tyre nuk ka arritur të krijojë një avantazh të dukshëm ndaj tjetrës, duke e bërë edhe më interesante përballjen e ardhshme.
Gjithçka nis me duelin e fazës së parë të këtij sezoni, kur dy ekipet u përballën në Shkodër dhe ndanë nga një pikë, pas një ndeshjeje të luftuar që përfundoi në shifrat 2-2. Një rezultat që konfirmoi edhe një herë rivalitetin mes dy skuadrave, të cilat tashmë do të kërkojnë të bëjnë diferencën në përballjen e dytë sezonale.
Ndërkohë, gjatë kampionatit 2024-2025, Skënderbeu dhe Vllaznia u ndeshën plot katër herë, duke regjistruar nga dy fitore secila. Një statistikë që e bën edhe më të qartë baraspeshën e krijuar në këtë çift, ku rezultatet kanë ndryshuar nga njëra fazë në tjetrën.
Në fazën e parë të atij sezoni, kuqeblutë triumfuan me rezultatin 2-0, duke marrë tri pikët në një sfidë ku arritën të impononin lojën e tyre.
Edhe në fazën e tretë, shkodranët regjistruan një tjetër sukses, këtë herë shumë më bindës, duke fituar 0-4 në transfertë dhe duke dhënë një sinjal të qartë force përballë korçarëve.
Megjithatë, Skënderbeu arriti të përgjigjej në dy përballjet e tjera. Korçarët fituan 1-0 në fazën e dytë, ndërsa në duelin e fazës së katërt triumfuan me rezultatin 1-2 në Shkodër. Kështu, në katër ndeshjet e sezonit 2024-2025, secila skuadër regjistroi nga dy fitore, ndërsa barazimi 2-2 i këtij kampionati e ka ruajtur të paprekur ekuilibrin.
Tashmë, një tjetër kapitull i këtij rivaliteti do të shkruhet në Korçë, ku të dyja skuadrat kanë objektivat dhe ambiciet e tyre. Vllaznia kërkon të reagojë pas humbjes me Vorën, ndërsa Skënderbeu do të synojë të shfrytëzojë faktorin fushë. Mbetet për t’u parë nëse kjo përballje do të sjellë një tjetër rezultat që ruan baraspeshën apo nëse njëra prej skuadrave do të arrijë të marrë avantazhin në bilancin e pesë ndeshjeve të fundit.


