Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, flet për projektin ambicioz “Vllaznia Elite Campus”, aktualisht në fazën e projektimit, i cili parashikohet të zhvillohet në rreth 70 mijë metra katrorë tokë në pronësi të klubit, në zonën e Omarajt, Malësi e Madhe. Një investim që synon të krijojë një qendër sportive multifunksionale me dimension rajonal dhe ndërkombëtar, të zhvillojë akademinë kuqeblu dhe ta vendosë Shkodrën në hartën europiane të qendrave të përgatitjes sportive.
Përgatiti: Zyra e Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingut – KF Vllaznia
- Z. Xhaferi, kemi mësuar se KF Vllaznia është duke zhvilluar një projekt ambicioz për ndërtimin e një kompleksi të ri sportiv, të quajtur “Vllaznia Elite Campus”. Çfarë përfaqëson ky projekt dhe sa i rëndësishëm është për të ardhmen e klubit?
Për mua dhe për të gjithë familjen kuqeblu, ky është një moment shumë i rëndësishëm, të cilin do ta cilësoja historik.
Pas më shumë se një shekulli histori, Vllaznia ka sot një aset të rëndësishëm në pronësi të saj, rreth 70 mijë metra katrorë tokë në zonën e Omarajt, në Malësinë e Madhe, vetëm 10 minuta nga Shkodra.
Kjo na jep mundësinë të ndërtojmë një infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme, e cila do t’i shërbejë klubit për shumë dekada.
Vllaznia është një klub me histori, traditë dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar. Por për të ndërtuar të ardhmen nuk mjafton vetëm historia. Duhen investime, organizim dhe një vizion afatgjatë.
Pikërisht këtë përfaqëson “Vllaznia Elite Campus”: një projekt që do të krijojë kushte bashkëkohore për edukimin, përgatitjen dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj, duke e kthyer akademinë në një nga shtyllat kryesore të klubit.
Me këtë projekt nuk po investojmë vetëm për Vllazninë e sotme, por për Vllazninë e gjeneratave të ardhshme.
- Si do të zhvillohet projekti dhe çfarë parashikohet të ndërtohet në dy fazat e tij?
Projekti është aktualisht në fazën e projektimit dhe është konceptuar të zhvillohet në dy faza, me synimin për të krijuar një nga komplekset sportive më moderne dhe më të kompletuara në rajon.
Në fazën e parë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, parashikohet ndërtimi i katër fushave futbolli, tri me bar natyral dhe një me sipërfaqe sintetike. Kjo do të krijojë menjëherë kushte optimale për akademinë, ekipet e moshave dhe përgatitjen profesionale të futbollistëve.
Faza e dytë përfaqëson vizionin tonë afatgjatë dhe është shumë më ambicioze. Ajo parashikon ndërtimin e një stadiumi modern me rreth 3,000 vende, të projektuar sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e infrastrukturës sportive me fusha minifutbolli dhe një ambient sportiv të mbyllur multifunksional, kryesisht për futsal dhe lojëra të tjera me dorë.
Një element i rëndësishëm i kësaj faze do të jetë edhe kompleksi hotelier me standarde të larta, i cili parashikohet të përfshijë ambiente moderne akomodimi për sportistë dhe delegacione, restorante, salla konferencash dhe mbledhjesh, ambiente për analiza teknike dhe seminare, qendër fitnesi dhe përgatitjeje fizike, SPA, pishinë dhe hapësira të dedikuara për rikuperimin e sportistëve.
Synimi është që brenda një kompleksi të vetëm të ofrohet një infrastrukturë e integruar për stërvitje, akomodim, përgatitje profesionale, rehabilitim, aktivitete sportive dhe organizimin e eventeve kombëtare e ndërkombëtare.
Ambicia jonë është që “Vllaznia Elite Campus” të mos jetë thjesht një qendër stërvitore, por një destinacion sportiv ndërkombëtar, një nga komplekset e referencës në Ballkan, ku mund të organizohen grumbullime të ekipeve kombëtare në bashkëpunim me FSHF-në, faza përgatitore të klubeve nga Ballkani, Europa, Afrika dhe më gjerë, turne ndërkombëtare të akademive dhe programe të zhvillimit të talenteve.
Pozicioni strategjik, afërsia me Shkodrën, klima dhe potenciali turistik i zonës krijojnë mundësi që ky kompleks të kontribuojë edhe në zhvillimin e turizmit sportiv dhe ekonomisë lokale.
Ne duam të ndërtojmë një infrastrukturë që jo vetëm i shërben Vllaznisë, por që e vendos Shkodrën në hartën ndërkombëtare të qendrave të zhvillimit dhe përgatitjes sportive.
- Çfarë ndikimi do të ketë ky investim në zhvillimin e akademisë dhe të strukturave të tjera sportive të klubit?
Ky është një nga objektivat tanë më të rëndësishëm.
Shkodra ka qenë historikisht një nga burimet kryesore të talenteve të futbollit shqiptar. Ne duam ta ruajmë dhe ta zhvillojmë këtë traditë, duke krijuar mundësi shumë më të mëdha për fëmijët dhe të rinjtë.
Me këtë kompleks synojmë të rrisim ndjeshëm numrin e fëmijëve që do të jenë pjesë e akademisë, jo vetëm nga qyteti i Shkodrës, por nga i gjithë qarku dhe rajone të tjera.
Dëshirojmë të ndërtojmë një sistem profesional, ku talentet të identifikohen që në moshë të vogël, të edukohen, të përgatiten dhe të kenë një rrugë të qartë zhvillimi drejt ekipit të parë.
Njëkohësisht, kjo infrastrukturë do të jetë në shërbim të ekipit të parë, ekipit të vajzave, Vllaznia B dhe të gjitha grupmoshave të akademisë, duke krijuar kushte optimale për stërvitje, përgatitje profesionale dhe një organizim modern e të integruar të të gjitha strukturave sportive të klubit.
Për ne, akademia nuk duhet të jetë vetëm një vend ku mësohet futbolli, por edhe një mjedis edukimi, disipline dhe formimi personal.
Zhvillimi i akademisë është gjithashtu një element thelbësor i qëndrueshmërisë ekonomike të klubit.
Vllaznia e së ardhmes duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë te talentet që ajo vetë zbulon, edukon dhe përgatit.
- A synoni që “Vllaznia Elite Campus” të ketë edhe një dimension ndërkombëtar? A ka kontakte me organizata europiane të futbollit për mbështetjen e projektit?
Absolutisht. Që në konceptimin e këtij projekti, ambicia jonë ka qenë që ai të mos mbetet thjesht një qendër stërvitore e Vllaznisë, por të ketë një dimension rajonal dhe europian.
Ne jemi në kontakte dhe po eksplorojmë mundësitë që ofrojnë programet e ndryshme të UEFA-s, FIFA-s, Fondacionit të EFC-së (European Football Clubs), si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të përfituar nga iniciativat e tyre në zhvillimin e futbollit, akademive dhe infrastrukturës sportive.
Synimi ynë është të ndërtojmë bashkëpunime afatgjata, të shkëmbejmë eksperienca dhe të krijojmë partneritete strategjike me akademi futbolli nga Europa, Afrika dhe më gjerë, duke sjellë në Shkodër standarde europiane të organizimit, edukimit dhe zhvillimit të talenteve.
Ambicia jonë është që “Vllaznia Elite Campus” të shndërrohet në një pikë referimi për bashkëpunimin ndërkombëtar, identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Në të ardhmen, kompleksi mund të presë ekipe për faza përgatitore, turne ndërkombëtare të moshave, programe zhvillimi të talenteve dhe aktivitete të përbashkëta me akademi e klube nga vende të ndryshme.
Këtu shohim një potencial të rëndësishëm jo vetëm për Vllazninë, por edhe për ekonominë dhe turizmin sportiv në Shkodër e Malësi të Madhe.
Duam që Shkodra, përveç traditës së saj të jashtëzakonshme futbollistike, të bëhet edhe një destinacion europian për zhvillimin e talenteve dhe përgatitjen sportive.
- Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi institucional për realizimin e këtij projekti? Si e shihni edhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në Shkodër?
Një projekt i këtyre përmasave kërkon padyshim bashkëpunim dhe koordinim institucional.
Së pari, dua të falënderoj Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armando Duka, i cili e ka mbështetur këtë iniciativë që në fillim. Bashkëpunimi me FSHF-në është një element shumë i rëndësishëm për realizimin e fazës së parë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të kompleksit.
Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për investimet dhe ndërhyrjet e fundit në stadiumin “Loro Boriçi”, të cilat po i japin këtij impianti me standarde ndërkombëtare vëmendjen që meriton dhe po krijojnë kushte më të mira për tifozërinë tonë kuqeblu.
Besoj se stadiumi “Loro Boriçi” dhe “Vllaznia Elite Campus” do të jenë dy infrastruktura që plotësojnë njëra-tjetrën dhe i japin Shkodrës një perspektivë të re sportive.
Gjithashtu, falënderoj Kryetarin e Bashkisë Malësi e Madhe, z. Tonin Marinaj, për gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë që ka shprehur për realizimin e këtij projekti.
Dua të falënderoj edhe Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për vëmendjen dhe gatishmërinë e shprehur ndaj iniciativave që synojnë zhvillimin e futbollit në Shkodër. Kam besim se kjo frymë bashkëpunimi do të konkretizohet edhe në lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të nevojshme institucionale, në mënyrë që investime me një rëndësi të tillë për sportin dhe të rinjtë të realizohen sa më shpejt.
Besoj se ky projekt duhet parë përtej interesave të një klubi, si një investim me vlerë për sportin, komunitetin dhe gjeneratat e ardhshme.
- Përtej këtij investimi, cili është vizioni juaj për Vllazninë e viteve të ardhshme? A është klubi i hapur ndaj partneriteteve dhe investitorëve të rinj?
Vizioni ynë është të ndërtojmë një Vllazni gjithnjë e më të fortë, më profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme, që konkurron për trofe, merr pjesë rregullisht në kompeticionet europiane dhe mbështetet gjithnjë e më shumë në akademinë e saj.
Për këtë nevojiten jo vetëm investime në ekipin e parë, por edhe infrastrukturë moderne, organizim profesional dhe partneritete strategjike.
Në këtë drejtim, Vllaznia është e hapur ndaj investitorëve të rinj dhe palëve të interesuara që sjellin kapital, seriozitet, eksperiencë dhe ambicie për zhvillimin e mëtejshëm të klubit. Çdo partneritet duhet të respektojë identitetin dhe historinë e Vllaznisë, si dhe të mbështetet në një vizion të përbashkët afatgjatë.
Ne kemi ambicie të mëdha dhe besoj se potenciali i Vllaznisë është shumë më i madh sesa ai që kemi arritur të shfrytëzojmë deri më sot. Synimi ynë është ta çojmë klubin në një nivel tjetër, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ dhe ekonomik.
- Gjatë këtyre viteve nën drejtimin tuaj, Vllaznia ka shënuar një sërë arritjesh sportive dhe organizative. Si e vlerësoni këtë periudhë dhe çfarë synoni më tej?
Besoj se gjatë këtyre viteve kemi bërë hapa të rëndësishëm në rikthimin e Vllaznisë në nivelet që i takojnë historisë dhe emrit të saj.
Kemi fituar dy Kupa të Shqipërisë, kemi siguruar pjesëmarrje të rregullta në kompeticionet europiane, kemi përmirësuar pozicionimin dhe konkurrueshmërinë e klubit në futbollin shqiptar, si dhe kemi ndryshuar ndjeshëm imazhin, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të tij.
Natyrisht, kemi kaluar edhe momente të vështira dhe jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë. Por ajo që ka rëndësi është se kemi ndërtuar një vizion dhe nuk jemi ndalur në përpjekjet për ta zhvilluar klubin.
Tashmë duam të hedhim një hap edhe më të madh, duke i dhënë Vllaznisë jo vetëm rezultate sportive, por edhe një bazë të fortë infrastrukturore dhe ekonomike, që do ta bëjë më konkurruese dhe më të qëndrueshme në të ardhmen.
Vllaznia Elite Campus është vazhdimësi e kësaj filozofie dhe një nga projektet më të rëndësishme të vizionit tonë afatgjatë.
Për mua, Vllaznia nuk është thjesht një klub futbolli. Është një institucion, një histori dhe një përgjegjësi e madhe ndaj Shkodrës dhe tifozërisë sonë.
Ambicia ime është të ndërtojmë një Vllazni që jo vetëm respekton historinë e saj, por krijon një histori të re suksesi, me standarde europiane dhe me themele të forta për të ardhmen.




