I lindur dhe rritur në Mançester, Iqbal ka baba pakistanez dhe nënë irakene. Futbollisti, i cili u formua në akademinë e Manchesterit dhe aktualisht aktivizohet te Utrecht, tha se ishte i surprizuar kur mësoi se mund të bëhej lojtari i parë me origjinë pakistaneze që merr pjesë në një Botëror. Ai theksoi se ndihet krenar për të dyja rrënjët e familjes së tij dhe se trashëgimia kulturore ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij.
Për të treguar respekt ndaj origjinës së tij, Iqbal mban flamurin e Irakut dhe atë të Pakistanit në këpucët që vesh. Sipas tij, të dyja vendet kanë një vend të veçantë në zemrën e tij dhe nuk mund të zgjedhë njërin mbi tjetrin. Ai e konsideron këtë një mënyrë për të nderuar familjen e tij.
Për shumë tifozë pakistanezë, prania e Iqbalit në Kupën e Botës përfaqëson një moment historik. Pakistani, me mbi 240 milionë banorë, renditet mes kombëtareve më të dobëta në futboll dhe nuk ka arritur kurrë të lërë gjurmë në skenën botërore.
Megjithatë, suksesi i Iqbalit ka sjellë një ndjenjë krenarie dhe përfaqësimi për komunitetin pakistanez brenda dhe jashtë vendit. Vetë lojtari shpreson që historia e tij të frymëzojë brezin e ri të futbollistëve. Ai theksoi se futbolli është një rrugëtim i vështirë, që kërkon sakrifica, punë dhe përkushtim, por beson se talenti mund të vijë nga çdo komunitet, pavarësisht prejardhjes, fesë apo vendit ku je rritur.
Ndërkohë, Iraku rikthehet në Kupën e Botës pas 40 vitesh mungesë. Kombëtarja irakene siguroi kualifikimin pas një rruge të vështirë, duke u bërë skuadra e fundit që preu biletën për turneun. Iqbal beson se ekipi i tij mund të surprizojë botën, pavarësisht se konsiderohet si skuadër e dobët.


