Kampionati i futbollit të femrave do të luajë sot javën e pestë të tij. Kështu, dita e sotme do të rezervojë dy takime interesante, duke nisur me Tirana-Laçi, që do të jetë edhe sfida hapëse e kësaj dite, e planifikuar për t’u luajtur në ora 12:00 në kryeqytet dhe më pas, Kukësi-Skënderbeu në ora 13:00.

Fillimisht, për ta nisur me Tirana-Laçi, pritet të jetë një ndeshje e vështirë për vajzat shkodrane që luajnë për klubin kurbinas. Ato nuk e kanë nisur shumë mirë kampionatin dhe kërkojnë sa më parë të sigurojnë një rezultat pozitiv, duke qenë se nuk kanë bërë ende “sefte” për këtë sezon.

Ekipi i drejtuar nga trajneri shkodran Elis Legata do të tentojë të bëjë surprizën në kompleksin “Skënder Halili” ndaj Tiranës, ndeshje kjo e planifikuar për t’u luajtur në ora 12:00.

Ndërkohë, në orën 13:00, Kukësi do të presë në shtëpi Skënderbeun. Kjo ndeshje pritet të jetë e luftuar nga të dyja ekipet që do të kërkojnë të marrin vetëm tre pikët.

Skuadra e futbollisteve shkodrane të Kukësit do të synojë edhe një tjetër fitore pas asaj të javës së kaluar me rezultatin 0-4 ndaj Lushnjës. Megjithatë, gjithçka do të përcaktohet ditën e sotme në fushën e lojës, duke nisur nga ora 13:00.
Maringlen ZHIVANI